Në fletoren zyrtare janë botuar vendimet e Ministrisë së Shëndetësisë për vaksinimin e detyrueshëm të punonjësve të administratës publike, punonjësve të supermarketeve dhe të qendrave tregtare.
Sipas këtij urdhri punonjësit e këtyre institucioneve më 4 Janar 2022, në punë mund të paraqiten vetëm me certifikatë vaksinimi të lëshuar nga e-Albania, që vërteton vaksinimin e plotë, në formë digjitale apo të printuar.
Çdo person që nuk dëshiron të vaksinohet duhet që çdo 5 ditë të paraqesë test PCR-je, të kryer sipas procedurës për kryerjen e testeve për efekte administrative, për të verifikuar që nuk janë mbartës të infeksionit Sars-Cov-2.
Po ashtu, një kategori tjetër që kanë kaluar Covid-in në punë mund të paraqiten me certifikatë shërimi Covid-19 të lëshuar nga e-Albania ose dokument të lëshuar nga autoritetet shëndetësore të vendit, që provon shërimin nga infeksioni Sars-Cov-2, me vlefshmëri deri në 6 muaj pas shërimit.
Të përjashtuar për të paraqitur ndonjë nga këto tre dokumente të përcaktuara në urdhrin e Ministrisë së Shëndetësisë, janë vetëm ata persona që kanë dokument mjekësor të lëshuar nga mjeku për mosaplikimin e vaksinës.
Po shkak të festave, nuk do të ketë kufizime orari për qytetarët, por edhe bizneset pasi për natën e ndërrimit të viteve më 31 Dhjetor dhe 1 Janar nuk do të ketë kufizime orari për aktivitetet e bareve, restoranteve, fast-food dhe lokaleve.