Aktualitet Aksidenti me dy viktima në Rrugën e Kombit, arrestohet 26-vjeçari për shkelje...

Aksidenti me dy viktima në Rrugën e Kombit, arrestohet 26-vjeçari për shkelje të rregullave të qarkullimit

Policia e Lezhës njoftoi arrestimin e 26-vjeçarit Arlind Mihaj, i cili një ditë më parë u përfshi në një aksident në rrugën e Kombit ku për pasojë humbi jetën një fëmijë vetëm 3 vjeç dhe babai i tij. I riu nga Tropoja akuzohet për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.

Ngjarja ndodhi rreth orës 16.00 në aksin rrugor Milot –Rrëshen dhe në aksident u përfshi automjet tip “Benz” që drejtohej nga Mihaj dhe një makinë tjetër tip “Opel” ku udhëtonte çifti Shkurt dhe Fabiola Prenga dhe djali i tyre i mitur.

Si pasojë e përplasjes së fortë i mituri ndërroi jetë në vend, ndërkohë që dy prindërit e tij 33 dhe 26 vjeç morën plagë të rënda dhe u dërguan në spital.

Fatkeqësisht afro 2 orë pas aksidentit edhe babai i 3-vjeçarit nuk mundi t’i mbijetojë plagëve të marra dhe ndërroi jetë. Dëmtime të rënda mori edhe 26-vjeçari Arlind Mihaj, i cili ndodhet për ndihmë mjekësore në spitalin e Traumës në Tiranë.

Në spital me dëmtime të rënda është edhe nëna e të fëmijës së mitur. Siç shihet edhe nga pamjet, përplasja ka qenë shumë e fortë teksa makina tip Opel ku gjendej edhe fëmija është shkatërruar tërësisht.

Makina tjetër pas përplasjes është përfshirë nga flakët dhe është djegur plotësisht. Shkak për aksidentin e rëndë mësohet se u bë një parakalim i gabuar i makinës tip Benz dhe shpejtësia tepër e lartë.