Katër ditë më parë, kryeministri Edi Rama denoncoi publikisht një gjyqtare të Gjykatës së Tiranës për një vendim, sipas tij, “kap ça t’kapësh”. Sot, Ministria e Drejtësisë e kallëzoi atë në SPAK.
Ministri Ulsi Manja doli para mediave për të deklaruar se gjyqtarja e Tiranës, Klorinda Çela është kallëzuar në SPAK nga njësia antikorrupsion e ngritur nga Ministria e Drejtësisë pikërisht për vendimin në fjalë, që Manja tha se është marrë pak ditë para se shkalla e parë e vettingut ta shkarkonte nga detyra.
Rama nuk e përmendi në emër gjyqtaren në fjalë, ndërsa Manja iu referua me inicialet K.Ç. Ajo u akuzua nga kryeministri se kishte tjetërsuar një pronë publike duke bllokuar nisjen e punimeve për ngritjen e qendrës kombëtare të fëmijëve te ish-Garda e Republikës.
“Angazhohet Qeveria e Shqipërisë për të ndërtuar qendrën kombëtare të fëmijëve. Përcaktojmë vendin te ish-Garda. Marrim të dhënat e pronës. Prona është e shtetit dhe bëjmë projektin. Në momentin kur ne jemi gati të fillojmë punën na del që një gjykatëse ka bërë sigurim padie mbi këtë pronë për një subjekt privat që në të shkuarën i ka humbur të gjitha gjyqet”, tha Rama.
Rama u shpreh se vendimi është marrë kryekëput sipas parimit “kap ça t’kapësh” dhe i bëri thirrje SPAK-ut që të nisë sa më shpejt hetimet.
“Ajo duhet të thirret nga SPAK sot dhe jo nesër. Këta njerëz duhet të shkojnë në gjyq sepse kanë grabitur njerëzit. A duhet që ne ta shtyjmë përpara nismën që këta që pezullohen automatikisht të fillojnë hetimet?”, u shpreh kreu i Qeverisë.
Gjyqtarja Çela u shkarkua nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit më 28 tetor. Në seancën dëgjimore kur u relatuan rezultatet e hetimit administrativ për këtë subjekt rivlerësimi, u ngritën dyshime se gjyqtarja Çela kishte fshehur disa pasuri, si dhe u konstatuan balanca negative në vlerën totale 55 milionë lekë.
Klorinda Çela përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2005 dhe u emërua gjyqtare në Gjykatën e Elbasanit. Prej vitit 2013, ajo e ushtroi funksionin në Gjykatën e Tiranës. Në vitin 2014, ministri i Drejtësisë së kohës kërkoi shkarkimin nga detyra të gjyqtares Klorinda Çela dhe bashkëshortit të saj, Ken Dhima për shkak të problemeve me pasurinë, por kërkesa u rrëzua nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë.