Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku deklaroi pas mbledhjes së qeverisë se për çështjen e inceneratorëve, ministritë kanë për detyrë të zbatojnë kontratat.
Balluku nënvizoi se ministritë nuk mund të paragjykojnë kompanitë.
“Unë dua të qartësoj detyrat dhe përgjegjësitë e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, çdo ministrie dhe enti publik. Ne nuk gjykojmë dosje, ka entitete gjyqësore. Nuk marrim përgjegjësi të paragjykojmë kompanitë, ne zbatojnë kontratat. Çdo ministër, çdo funksionar shtetëror zbaton kontratat”, u shpreh ministrja.
Ajo theksoi se çështja për inceneratorin e Elbasanit është nën hetim dhe derisa të dalë një vendim, do të vijohet me kontratat aktuale.
“Janë çështje nën hetim, deri në ditën kur të merren vendime të mirëfillta ligjore për sa i përket personave apo kontratat”, tha ministrja.
Pak javë më parë u arrestua me urdhër të SPAK ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka për skemën e abuzimit me inceneratorin e Elbasanit.
Koka akuzohet për “shpërdorim detyre”, “pastrim parash” dhe “korrupsion” në kohën kur drejtonte Ministrinë e Mjedisit, lidhur me ndërtimin e inceneratorit të Elbasanit.
Sakaq, policia vijon kontrollet për arrestimin e Klodian Zotos dhe Stela Gugalljas, administratorët e dy kompanive që ishin pjesë e skemës së përfitimit të parave.