Ka ndërruar jetë në moshën 74-vjeçare gazetari dhe komentatori sportiv Valdimir Grillo.
Lajmin e ka bërë të ditur gazetari i sportit Defrim Methasani në një postim në rrjetet sociale. Ai thotë se Grillo vuante nga një sëmundje e rëndë e cila i mori dhe jetën. Ndër të tjera ai shton se RTSH humbi simbolin sportiv dhe të mikrofonit.
“Shuhet ikona e ekranit për sportin Vladimir Grillo, gazetari dhe komentatori me të cilin ndava 25 vite të jetës sime. Humba një mik të shtrenjtë, ashtu si familja Grillo njeriun më të dashur të saj. Vërtet dhimbje e madhe. Rtsh humbi simbolin sportiv dhe të mikrofonit. Sëmundja e rëndë e rrëzoi mjeshtrin e fjalës dhe komentit në moshën 74 vjeçare. U prehtë në paqe. Mungesa e tij do të na shoqëroj gjithë jetën”, shkruan gazetari Defrim Methasani.
Me mbi 40 vjet eksperiencë në ekranin, ai ishte kthyer në një ikonë të gazetarisë televizive sportive.
Grillo mbaroi Institutin Histori-Filologji, dega gjuhë-letërsi në vitin 1969. Më 3 janar të vitit 1970 filloi punë në RTSH për të qëndruar deri në fund të jetës.
Vitin e kaluar, më 2 korrik 2020 Presidenti i Republikës Ilir Meta dekoroi me Titullin “Mjeshtër i Madh” zotin Vladimir Grillo “Për kontributin dhe vlerat e veçanta në përcjelljen me cilësi të veprimtarive sportive, duke promovuar arritjet në disiplina të ndryshme sportive, si një komentator sportiv i spikatur në Radio-Televizionin Shqiptar, me vlera estetike e qytetare”.
Humbja e 74-vjeçarit nga një sëmundje e rëndë u shënua pak kohë pasi edhe vëllai i tij, Kosta Grillo, gjithashtu një ikonë e gazetarisë sportive në vend, nuk ia doli të fitojë betejën ndaj COVID-19.