Presidenti Ilir Meta ka uruar shqiptarët për Vitin e Ri, duke theksuar se “të gjithë së bashku duhet të mobilizojmë fuqitë dhe energjitë më pozitive të kombit tonë, por edhe mendjet e ndritura për të tejkaluar sfidat që kemi përpara”.
“Shqipëria europiane që duam të gjithë, stoliset edhe më shumë kur bukuritë e saj natyrore pasurohen me bukuritë e punës dhe vitalitetit të popullit tonë e në radhë të parë, të të rinjve tanë”, thotë Meta.
Urimi i presidentit Ilir Meta:
Dua t’ju përcjell urimet më të përzemërta, për një Vit të Ri, që do ta shohë Shqipërinë më demokratike dhe më të drejtë, më të bashkuar e më të fortë, por edhe shqiptarët më të shëndetshëm dhe më të begatë!
Prandaj të gjithë së bashku, të mobilizojmë fuqitë dhe energjitë më pozitive të kombit tonë, por edhe mendjet më të ndritura për të tejkaluar sfidat e mëdha që kemi përpara!
Të mos i dorëzohemi indiferencës, përjashtimit dhe zemërimit!
Të mos lejojmë që e vërteta të përmbytet nga gjepurat, pasiviteti dhe nënshtrimi!
Me shpresë, besim, punë, këmbëngulje, përfshirje dhe dashuri ne mund të arrijmë gjithçka.
Në maj të vitit 1992, Shqipëria ishte vendi i parë në rajon që niste një marrëdhënie të re kontraktuale me Bashkimin Europian.
Ndaj uroj që 30 vite më pas, më në fund të shënojmë një hap të ri në procesin tonë të vonuar të anëtarësimit drejt Bashkimi Europian, përmes një përfshirjeje dhe aktivizmi më të madh qytetar për realizimin e kësaj aspirate strategjike.
Të mbrojmë vlerat tona kombëtare, të respektojmë liritë, të drejtat dhe dinjitetin njerëzor, t’u përkushtohemi të rinjve tanë për t’u ofruar atyre çdo mundësi që ta ndërtojnë të ardhmen europiane këtu, në Atdheun e tyre!
Shqipëria europiane që duam të gjithë, stoliset edhe më shumë, kur bukuritë e saj natyrore pasurohen me bukuritë e punës dhe vitalitetit të popullit tonë e në radhë të parë, të të rinjve tanë.
Me këtë mesazh, dua t’ju bashkohem të dashur bashkëkombas, kudo ndodheni, pranë vatrave dhe familjeve tuaja, duke ju uruar nga zemra shëndet, mbarësi, paqe, lumturi, dhe begati!