Jo vetëm Covid 19, në këtë vit 2021 që po lamë pas, në botë kanë ndodhur ngjarje që kanë ndryshuar historinë. Nuk mund të mos kujtohet sulmi në Kapitol Hill, Kongresi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i cili do të mbahet mend si një nga faqet më të errëta në historinë amerikane. Dhe në të njëjtën kohë, është viti i mbërritjes së Joe Biden në Shtëpinë e Bardhë dhe ai i daljes së Angela Merkel nga politika në Gjermani. Por edhe dështimi i Benjamin Netanjahut në Izrael. Dhe pastaj padyshim pandemia me valën e re të quajtur “Omicron”, kriza me Rusinë për një Ukrainë gjithnjë e më perëndimore.
JANAR
1 JANAR – Brexit: Marrëveshja e partneritetit BE-BRITANI për tregtinë dhe bashkëpunimin hyn në fuqi. Londra largohet nga tregu i vetëm evropian në mesnatë në Bruksel, në ndryshimin më të madh ekonomik që ka pësuar vendi që nga Lufta e Dytë Botërore. “Marrëveshja do të formojë një bazë solide për miqësinë tonë me Britaninë e Madhe. Por do të ketë ndryshime të mëdha”, shkruan Komisioni Evropian në Twitter.
1 JANAR – Covid: Vaksina Pfizer-BionTech bëhet e para që merr vlefshmërinë nga Organizata Botërore e Shëndetësisë për përdorim urgjent.
6 JANAR – SHBA: mijëra mbështetës ekstremistë të republikanit Donald Trump sulmojnë Kapitol Hillin. Ata ngjiten në muret dhe tarracat e jashtme, thyejnë dyert dhe dritaret dhe hyjnë në pallat. Disa orë më parë, në parkun pranë Shtëpisë së Bardhë, Trump i kishte kërkuar turmës që të ‘luftonte’ dhe të marshonte në Kapitol Hill kundër asaj që ai e quajti ‘vjedhje’ e zgjedhjeve. Pas sulmit, u shënuan 5 viktima.
7 JANAR – SHBA: Kongresi shpall fitoren e Presidentit të zgjedhur Joe Biden dhe Zëvendës-Presidentes Kamala Harris. Senati dhe Dhoma e Përfaqësuesve hedhin poshtë kundërshtimet e ngritura nga republikanët.
17 JANAR – Rusi: Opozitari rus Aleksei Navalni, arrestohet në kontrollin e pasaportave në aeroportin “Sheremetyevo” të Moskës, ku avioni me të cilin udhëtonte ishte ulur. Avokati i tij nuk lejohet të bashkohet me të.
20 JANAR – SHBA: Joe Biden betohet si Presidenti i 46-të i Shteteve të Bashkuara përpara gjyqtarit të Gjykatës së Lartë, John Roberts, në një Bibël të lashtë në pronësi të familjes që nga viti 1893, e mbështetur nga Zonja e Parë Jill.
26 JANAR – Covid: Rastet e konfirmuara në botë kalojnë shifrën 100 milionë. Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, 100,032,461 infeksione dhe 2,149,818 vdekje janë zbuluar që nga fillimi i pandemisë.
SHKURT
1 SHKURT – Birmani: Grusht shteti i ushtrisë. Në ditën kur duhej të fillonte puna për parlamentin e ri të formuar pas zgjedhjeve të nëntorit, të cilat panë fitoren dërrmuese të partisë së Aung San Suu Kyit, ushtria mori pushtetin dhe arrestoi fituesin çmimit Nobel dhe presidentin Win Myint.
2 SHKURT – Rusi: Disidenti Aleksei Navalni dënohet me tre vjet e gjysmë burg. Akuza është se ai ka shkelur kushtet e provës, teksa po kurohej në Gjermani, pasi u helmua me agjentin nervor Novichock. Duke qenë se 44-vjeçari ka kaluar tashmë dhjetë muaj në arrest shtëpie, do të duhet të vuajë 2 vjet e 8 muaj burg.
MARS
1 MARS – Francë: Gjykata e Parisit shpall fajtor për korrupsion dhe trafikim ish-presidentin francez Nicolas Sarkozy dhe e dënon me 3 vjet: dy me lirim me kusht dhe një me burg.
24 MARS – Anija e madhe e mallrave “Ever Given”, ngec në Kanalin e Suezit të Egjiptit, duke bllokuar trafikun në një pikë vendimtare për lundrimin.
30 MARS – Hong Kong: Kina miraton ndryshimet në kushtetutë që i japin Pekinit një kontroll më të madh mbi përbërjen e parlamentit të qytetit dhe zvogëlojnë përqindjen e ligjvënësve të zgjedhur drejtpërdrejt.
PRILL
7 PRILL – ‘Sofagate’: Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen mbetet pa karrige gjatë takimit zyrtar me Presidentin e Këshillit Evropian Charles Michel dhe presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan në Ankara. Debati u ngrit si për sjelljen e liderit turk, ashtu edhe për atë të Michel.
9 PRILL – Mbretëria e Bashkuar: Princi Philip, bashkëshorti i Mbretëreshës Elizabeth vdes në moshën 99-vjeçare. Philip, i njohur si Duka i Edinburgut, u martua me Elizabeth në vitin 1947 dhe është bashkëshorti më jetëgjatë në historinë britanike të mbretërisë. Ai u tërhoq nga jeta publike në vitin 2017. Ai kishte katër fëmijë, tetë nipër e mbesa dhe nëntë stërnipër.
20 PRILL – SHBA: Ish-oficeri i policisë amerikane, Derek Chauvin, shpallet fajtor për vrasje nga pakujdesia për vdekjen e afrikano-amerikanit Geroge Floyd. Gjykata vendosi pas një diskutimi që zgjati dhjetë orë. Turma e mbledhur në Mineapolis, në pritje të vendimit, shpërtheu në duartrokitje dhe lot gëzimi.
MAJ
31 MAJ – Kinë: Për të ngadalësuar plakjen e shpejtë të popullsisë, Pekini vendos të rrisë numrin maksimal të fëmijëve të lejuar për çift nga dy në tre.
QERSHOR
9 QERSHOR – BE: Parlamenti Evropian miraton lejen e gjelbër anti-Covid. Rezultatet e seancës plenare të mbajtur një ditë më parë shpallen nga presidenti i Parlamentit Evropian David Sassoli. Teksti që më pas u miratua zyrtarisht nga Këshilli, u shndërrua në ligj, duke u zbatuar nga 1 korriku.
13 QERSHOR – Izrael: Epoka e Benjamin Netanjahut përfundon pas 12 vitesh. Me një shumicë të ngushtë prej 60 votash kundër 59, Knesset i jep besimin qeverisë së re të udhëhequr nga Naftali Benet.
16 QERSHOR – SHBA-Rusi: Dëshmi e shkrirjes midis Presidentit të SHBA-ve, Joe Biden dhe Presidentit rus, Vladimir Putin. Të dy takohen në Gjenevë të Zvicrës. Nuk ka përparim në marrëdhëniet midis dy fuqive, por hapat e parë përpara për çështje të tilla si kontrolli i armëve bërthamore, kthimi i ambasadorëve të tyre përkatës dhe hapja e një dialogu për sigurinë kibernetike. Nga ana tjetër, ka qëndrime të papajtueshme për çështjen e të drejtave të njeriut.
19 QERSHOR- Iran: Konservatori Ebrahim Raisi, kreu i gjyqësorit dhe i preferuari i liderit suprem Ayatollah Ali Khamenei fiton zgjedhjet presidenciale.
KORRIK
4 KORRIK – Hapësirë: Tre astronautë kinezë bëjnë ecjen e parë në hapësirë jashtë stacionit të ri orbital në Pekin. Ata mbërritën më 17 qershor për një mision tre mujor, pjesë e një programi ambicioz që zbarkoi një robot rover në Mars në muajin maj. Misioni vjen ndërsa Partia Komuniste në pushtet feston 100-vjetorin e themelimit të saj.
7 KORRIK – Covid: Organizata Botërore e Shëndetësisë njofton se janë tejkaluar 4 milionë vdekje. “Bota është në një pikë të rrezikshme në këtë pandemi”, paralajmëron drejtori i përgjithshëm, Tedros Adhanom Ghebreyesus.
GUSHT
15 GUSHT – Afganistan: Talebanët hyjnë në Kabul, ndërkohë që tërheqja e trupave amerikane vazhdon dhe në aeroportin e kryeqytetit, fluturimet vazhdojnë për të evakuuar personelin e ambasadës, shtetas perëndimorë dhe afganë që kanë bashkëpunuar me Perëndimin. Skenat në aeroport janë dramatike: civilët grumbullohen nëpër pista duke u përpjekur dëshpërimisht të hipin në fluturimet që nisen për të ikur nga vendi. Disa ngjiten pas avionëve dhe rrëzohen pas nisjes.
SHTATOR
8 SHTATOR – Francë: Hapet në Paris gjyqi për sulmet terroriste të 13 nëntorit 2015, që shkaktuan vdekjen e 130 personave dhe qindra të plagosur. Në sallën e gjyqit shfaqet Salah Abdeslam, i pandehuri kryesor, i vetmi i mbijetuar i celulës ekstremiste të lidhur me ISIS-in që pretendon anëtarësim në Shtetin Islamik.
15 SHTATOR – Pakti Aukus: Mbretëria e Bashkuar, SHBA dhe Australia shpallin një partneritet të ri trepalësh të mbrojtjes me qëllim të ruajtjes së sigurisë dhe stabilitetit në Indo-Paqësor. Pakti hedh në erë marrëveshjen për furnizimin e nëndetëseve midis Francës dhe Australisë. Parisi flet për një goditje me thikë pas shpine dhe thërret ambasadorët.
TETOR
5 TETOR – Francë – Stuhi mbi kishën pas publikimit të një hetimi të pavarur për pedofilinë që u porosit nga vetë Kisha Katolike në Francë në vitin 2018. Raporti tregon se 216 mijë fëmijë, 80% e tyre meshkuj, që ndodhen në Francë, janë abuzuar nga kleri në 70 vitet e fundit. Numri i tyre shkon në 330 mijë nëse kemi parasysh edhe abuzimet e bëra nga anëtarët laikë të Kishës.
9 TETOR – Tajvan: Rritet tensioni me Kinën. Pas bastisjeve masive në Pekin, presidenti i gjigantit aziatik, Xi Jinping thotë se ribashkimi i Taipeit me Kinën kontinentale duhet të ndodhë dhe do të nodhë. Presidenti i Tajvanit, Tsai Ing-wen, premton të mbrojë ishullin nga presioni në rritje kinez.
NËNTOR
8 NËNTOR – Emigrantët: Qindra njerëz lëvizin nga Bjellorusia në kufirin me Poloninë. Disa video në mediat sociale e dokumentojnë atë, duke përfshirë një të postuar në Twitter nga Sviatlana Tsikhanouskaya, një politikane dhe aktiviste bjelloruse, e cila shkruan: “Regjimi bjellorus intensifikon krizën kufitare: emigrantët shtyhen në kufi nga njerëz të armatosur”.
13 NËNTOR – COP26: Pakti i Gllazgout për Klimën, miratohet nga delegatët e 197 partive të mbledhura në samitin e OKB-së. Dokumenti është miratuar nga rreth 200 vende pas një ndërhyrjeje të minutës së fundit nga India për të zbutur formulimin në pjesën që lidhet me uljen e emetimeve që rrjedhin nga qymyri. Për Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, është “një hap i rëndësishëm, por nuk mjafton”.
26 NËNTOR – Covid: Organizata Botërore e Shëndetësisë i cakton emrin e alfabetit grek “Omicron”, variantit të ri të identifikuar në Afrikën e Jugut, deri më tani i referuar si B.1.1.529. Ai e përkufizon atë si ‘shqetësuese’.
DHJETOR
4 DHJETOR – Ukrainë: Gazeta “Washington Post”, zbulon se Rusia po planifikon një ofensivë kundër Kievit në disa fronte në fillim të vitit të ardhshëm, me përfshirjen e rreth 175 mijë ushtarëve. Frika e Perëndimit është rritur që nga rritja e numrit të trupave ruse në kufirin me Ukrainën, e vlerësuar në mes 90 dhe 70,000.
8 DHJETOR – Gjermani: Angela Merkelit i mbaron mandati si kancelar pas 16 vitesh. Vendi qeveriset nga lideri i qendrës së majtë, Olaf Scholz, i cili betohet si kancelari i nëntë, duke hapur një epokë të re për kombin më të populluar dhe ekonominë më të madhe në Bashkimin Evropian. Scholz mbështetet nga koalicioni SPD-Të Gjelbrit dhe Liberalët, ndërsa CDU-CSU shkon në opozitë.
19 DHJETOR – Kili: Gabriel Boriç është presidenti i ri. Ish-lideri 35-vjeçar i lëvizjes studentore dhe kandidati i së majtës mundi rivalin e tij Jose Antonio Kast, nostalgjik i ish-diktatorit Pinochet, duke u bërë kreu i shtetit më i ri dhe më i votuar në historinë e vendit.
26 DHJETOR – Afrika e Jugut: Kryepeshkopi Desmond Tutu, fitues i Çmimit Nobel për Paqe në 1984, i cili ndihmoi për t’i dhënë fund aparteidit në Afrikën e Jugut, vdes në moshën 90-vjeçare.