Shtëpia gjermane e modës do të punësojë punëtorë shtesë për fabrikën turke, teksa po redukton varësinë nga Azia Juglindore
Shtëpia gjermane e modës Hugo Boss po zgjeron kapacitetin e prodhimit më afër bazës së saj në Europë, në mënyrë që të reduktojë varësinë e saj nga Azia Juglindore. Kjo zhvendosje po ndodh në një kohë kur zinxhirët e furnizimit global janë nën presion të lartë, shkruan Financial Times.
Shefi ekzekutiv i kompanisë, Daniel Grieder, i cili synon të dyfishojë shitjet në 4 miliardë euro në vit deri në vitin 2025, i tha Financial Times se ndërprerjet e zinxhirit të furnizimit po krijonin “sfida të pabesueshme” për Hugo Boss dhe rivalët e tij, duke shkaktuar mungesa furnizimi, vonesa dhe kosto më të larta të transportit.
Si reagim ndaj situatës së krijuar, kompania po zgjeron fabrikën e saj në Izmir, Turqi, tha Grieder, duke shtuar se kërkojnë të punësojnë pothuajse 1,000 punëtorë të tjerë atje, duke rritur stafin me një të tretën. Gjithashtu kompania po planifikon të investojë më shumë në makineri dhe pajisje në fabrikë.
Grieder i tha FT se do të zgjeronte portofolin e produkteve të markës dhe do të ofronte më shumë veshje të përditshme dhe të kohës së lirë, përveç gamës së saj kryesore të veshjeve të biznesit. Kompania planifikon të kryejë 500 milionë euro investime në dyqane gjatë pesë viteve të ardhshme dhe po planifikon të rrisë buxhetin e marketingut me 100 milionë euro në vit, deri në vitin 2025.
Fabrika e Izmirit, e cila është hapur që në vitin 1999, është tashmë me e madhja e Hugo Boss dhe tradicionalisht është përdorur kryesisht për të bërë veshje zyrtare. Kompania gjithashtu ka fabrika në Gjermani, Poloni dhe Itali, të cilat së bashku me Turqinë përbëjnë rreth 20 për qind të prodhimit të saj të veshjeve. Krahas këtyre vendeve, 30 përqind e veshjeve të saj janë me burim nga furnitorë në ose afër Evropës. Hugo Boss tha se kjo përqindje do të rritet më tej gjatë viteve të ardhshme.
Pjesa më e madhe e industrisë mbështetet ndjeshëm në prodhimin e veshjeve në Azinë Juglindore, ku kostot e punës janë shumë më të ulëta.
Grieder, një veteran i industrisë, tha se ndryshimi do të ishte i përhershëm. “Strategjia jonë e ardhshme është të prodhojmë edhe më shumë veshje afër tregjeve ku do të shiten,” tha ai.
Produktet për Amerikën do të prodhohen atje, po ashtu për Europën dhe Azinë, tha ai, duke shtuar se ky do të ishte një “ndryshim i madh” për kompaninë.
Gjatë vitit 2020, kompania riorganizoi prodhimin në Izmir dhe tani po prodhon bluza sportive, veshje për femra dhe të tjera. Grieder tha se ekzistenca e një fabrike në pronësi afër Europës kishte qenë “një avantazh i madh konkurrues” gjatë muajve të fundit.
Kompania po shikon gjithashtu zhvendosjen e një pjese të prodhimit të saj në “fabrikat e qytetit” në vendet perëndimore dhe, në tremujorin e parë të 2022, do të fillojë të testojë prodhimin përfundimtar të xhinseve në një fabrikë të vogël në Los Anxhelos.
Në tremujorin e tretë të 2021, Hugo Boss rriti shitjet me 40 për qind me bazë vjetore, ndërsa të ardhurat ishin 7 për qind më të larta se sa në tremujorin e tretë të 2019, përpara pandemisë. Vitin e kaluar, shitjet ranë 31 për qind në 1.95 miliardë euro dhe kompania raportoi një humbje neto prej 219 milionë euro.
Grieder tha se kërkesa për veshje formale, e cila u godit rëndë nga kufizimet dhe rritja e punës nga shtëpia, u gjallërua më shumë se sa pritej, pas rritjes së kërkesës nga organizimet e shtyra gjatë pandemisë, si dasmat.
Sipas Grieder, kompania trembej se shitjet e veshjeve zyrtare si kostumet tradicionale do të binin me 50 për qind. “Kjo nuk ndodhi dhe ne jemi vërtet të lumtur për këtë,” tha ai.