Kryesore Çfarë do të arrijnë misionet hapësinore gjatë vitit 2022

Çfarë do të arrijnë misionet hapësinore gjatë vitit 2022

2021 ishte një vit me ngjarje të mëdha të lidhura me eksplorimin e hapësirës, si zbarkimi i sondave në Mars dhe udhëtime në hapësirë të miliarderëve Jeff Bezos dhe Richard Branson. Dhe gjasat janë se aktivitetet në fushën e hapësirës do të vazhdojnë me intensitet në vitin 2022, gjatë të cilit pritet të ketë një tjetër mision drejt Marsit dhe më shumë udhëtime në hapësirë për turistët.

“Nuk ka dyshim se vitit 2021 ishte një vit i madh lajmesh në fushën e hapësirës, por kjo prirje do të vazhdojë në vitin 2022 dhe ndoshta edhe do të përforcohet pak”, thotë korrespondentja e Associated Press në Kejp Kenaveral, Marcia Dunn.

Ajo thotë se gjatë vitit 2022 pritet të ketë më shumë udhëtime në hapësirë të organizuara nga NASA, misione fluturimi në astereoidë, Mars, dhe ndoshta në Jupiter, si dhe fluturime në hapësirë për turistët.

Muajin e kaluar, NASA shtyri planet për rikthimin e astronautëve në Hënë deri në vitin 2025.

Por agjencia hapësinore amerikane pritet të bëjë provën e parë me raketën që do të përdoret për misionet në Hënë, e cila do të ketë të instaluar kapsulën Orion, pa njerëz në bord, në pjesën e parë të vitit 2022.

Kjo nuk do të jetë prova e vetme e lidhur me misionet në Hënë në vitin 2022. Disa vende po planifikojnë të dërgojnë sonda në Hënë, duke përfshirë Japoninë dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

“NASA, sigurisht, me partnerët e saj, shpreson të dërgojë astronautë përsëri në Hënë, ndoshta që në vitin 2025, 2026”,thotë zonja Dunn.

Në vitin 2021 u ulën dy sonda në planetin e kuq, ajo e NASA-s me madhësi të ngjashme me një makinë, “Perseverance” dhe ajo kineze “Zhurong”.

Një tjetër sondë e Agjencisë Evropiane të Hapësirës dhe asaj ruse Roscosmos, që pritej të nisej në mars të vitit 2020, tani është planifikuar të dërgohet në Mars në shtator të vitit 2022.

Qëllimi i këtij misioni në Mars do të jetë përpjekja për të mësuar nëse atje ka patur jetë në të kaluarën.

2021 mund të mbahet mend si viti i vërtetë i turizmit hapësinor. Miliarderët Jeff Bezos dhe Richard Branson realizuan udhëtimet e para turistike në hapësirë, dhe kompania SpaceX dërgoi katër amatorë në një udhëtim hapësinor privat rreth Tokës.

Zonja Dunn thotë se themeluesi i kompanisë SpaceX, Elon Musk, nuk ka të ngjarë të ndjekë hapat e miliarderëve Bezos dhe Branson në hapësirë, sepse ai është i përqendruar në ndërtimin e një anije hapësinore futuristike, në formë plumbi. Një fluturim provë i kasaj anije hapësinore është planifikuar të realizohet në fillim të vitit 2022.

“Ai është më i përqendruar në përpjekjet për të dërguar njerëzit në planete të tjera. Për këtë arsye ai po punon në ndërtimin e anijes hapësinore “Starship” në Teksas”, thotë zonja Dunn.

Manjati japonez i modës, Yusaku Maezawa dhe producenti i tij udhëtuan së fundmi në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës, vizita e parë e turistëve hapësinorë që paguajnë vetë për të vizituar stacionin hapësinor në më shumë se një dekadë.

Marcia Dunn thotë se në vitin 2022 pritet të ketë një rritje të numrit të “qytetarëve të thjeshtë” që do të bëjnë udhëtime në hapësirë.

“Deri më tani, kjo ka qenë e mundur vetëm për të pasurit ose astronautët. Unë mendoj se viti 2022 do të hapë rrugën për dërgimin e më shumë qytetarëve të thjeshtë, klientëve të të gjitha këtyre kompanive hapësinore”, thotë ajo.