Bota Gjykata shpall fajtore sipërmarrësen që frymëzoi dhe zhgënjeu botën

Gjykata shpall fajtore sipërmarrësen që frymëzoi dhe zhgënjeu botën

Elizabeth Holmes, nga “Steve Jobsi i ardhshëm i botës” në mashtruese

Pas tre muajsh shqyrtim të provave dhe 32 dëshmitarëve, një gjykatë  kaliforniane shpalli fajtore ish-drejtoreshën ekzekutive të Theranos, Elizabeth Holmes.

Gjykata e shpalli atë fajtore për dy akuza për mashtrim dhe dy komplote për të kryer mashtrim pas shtatë ditësh diskutim. 37-vjeçarja u shpall e pafajshme për katër akuza të tjera. Holmes mund të përballet deri më 20 vjet burg për çdo akuzë, megjithëse ekspertët ligjorë thonë se nuk ka gjasa që të marrë dënimin maksimal.

Elizabeth Holmes ishte 19 vjeçe kur braktisi universitetin e famshëm amerikan “Standford” dhe vendosi “të ndryshonte botën”. Në vitin 2004, ajo krijoi Theranos, një bashkim i fjalëve “Therapy” (Terapia) dhe “Diagnosis” (Diagnoza). Ky start-up premtonte që vetëm nëpërmjet një pike gjaku nga një e shpuar pa dhimbje e majës së gishtit dhe nëpërmjet një makinerie, të evidentonte të gjitha sëmundjet e mundshme, të dallueshme nëpërmjet gjakut.

Të gjitha mediat shkruan për të, përfshirë Time, Forbes, New Yorker etj. Vetëm gjashtë vite më parë, Forbes e cilësoi 37-vjeccare Elizabeth Holmes “miliarderen më të re femër të vetëbërë”, dhe si “Steve Jobs i ardhshëm i botës”.

Holmes kaloi nga një e panjohur në një emër të komentuar në Silicon Valley dhe arriti të grumbullonte 4.5 miliardë pasuri duke mashtruar investitorët. Ajo u konsiderua mbretëresha e Silicon Valley-t të dominuar nga burra.

Por hetimet tregun se pas historisë së suksesit të Theranos-it, fshiheshin procedura laboratorike dhe rezultate të dyshimta.

Prokurorët federalë e përshkruan atë si një sharlatane të fiksuar pas famës dhe pasurisë. Në gjykimin e çështjes, ajo vazhdoi ta konsideronte veten “pioniere vizionare në Silicon Valley të dominuar nga meshkujt, e cila u abuzua emocionalisht dhe seksualisht nga ish i dashuri dhe partneri i saj i biznesit, Sunny Balwani”.

Pasi u shpall fajtore, Holmes qëndroi ulur dhe nuk shprehu asnjë emocion të dukshëm teksa lexoheshin vendimet.