Aktualitet Atentati ndaj Vinçesk Pirolit, policia shpall në kërkim një 23-vjeçar

Atentati ndaj Vinçesk Pirolit, policia shpall në kërkim një 23-vjeçar

Katër ditë pas atentatit ndaj Vinçesk Pirolit që mbeti i plagosur në Shkodër, policia ka mundur të identifikojë dhe të shpallë në kërkim një 23-vjeçar ai autor të dyshuar. Ai është Arjon Beqiri banues në lagjen “Partizani”, i cili akuzohet për vrasje me dashje e mbetur në tentativë të kryer në bashkëpunim dhe armëmbajtje pa leje.

Policia thotë se 23-vjeçari nuk ka vepruar i vetëm. Ndërkohë, të enjten në rrugën “Hodo Beg Sokoli” në Shkodër u gjet i braktisur një makinë BMW X5 që dyshohet se është përdorur nga autorët e ngjarjes.

Ky automjet është marrë me qira nga 23-vjeçari Arjon Beqiri në datën 3 Janar 2022, pikërisht në ditën kur u qëllua me armë Vinçesk Piroli.

Në lidhje me këtë ngjarje, më datë 05.01.2022 janë arrestuar në flagrancë për veprat penale “Moskallëzimi i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, edhe vetë i plagosuri Vinçesk Piroli 34 vjeç dhe kushëriri i tij Marjan Marku 29 vjeç, i cili ka transportuar 34-vjeçarin në spital, por nuk ka njoftuar policinë dhe nuk ka kallëzuar për rrethanat e ngjarjes.

Nën drejtimin e Prokurorisë vijon  puna për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe arrestimin e bashkëpunëtorëve të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje kriminale.