Lulzim Basha mohon që nga selia blu të jetë hedhur gaz lotsjellës në drejtim të protestuesve këtë të shtunë. I pyetur nga gazetarët për deklaratën e policisë, se gazi lotsjellës nuk ishte hedhur nga kjo e fundit, Basha e quajti këtë deklaratë kriminale. Të njëjtë quajti edhe vonesën sipas tij, për të ndërhyrë në selinë e PD.
“Nga Partia Demokratike nuk ka pasur gaz lotsjellës… Janë bombula zjarrfikësesh. Deklarata e policisë është kriminale. I pari mos reagimi për një orë e gjysmë dhe e dyta shpifja që i parapriu që PD ka përdorur gaz lotsjellës”.
Sa i përket dhunës së ushtruar ndaj protestuesve nga dritaret e selisë blu, ai e mohoi edhe këtë dhe tha se ata që sulmuan PD nuk kanë lidhje me demokratët.
“Shikojini mirë pamjet se ai personi që keni treguar sikur është dhunuar nga PD e kanë dhunuar shokët e tij me gurë. Të gjitha pamjet filmike janë në dispozicion të policisë…”, tha Basha.