Kryeministri Edi Rama e quajti “shfaqje mesjetare” sulmin ndaj godinës së Partisë Demokratike dhe tha se ngjarja e djeshme mund të “kishte degjeneruar në gjakderdhje”.
“Mund të kishte degjeneruar në diçka të pangushëllueshme për PD-në, për demokratët, por edhe për të gjithë shoqërinë. Si njëri si tjetri (Basha dhe Berisha), të dyja kufomat politike kanë marrë peng atë parti në kacafytjen e tyre, për fat të keq ishin papërgjegjshmërisht të gatshëm ta luanin deri në fund lojën e mbrojtjes apo marrjes së kështjellës më gjakun e demokratëve”, u shpreh Rama.
Kryeministri Rama këto komente i bëri në një bashkëbisedim të paralajmëruar, drejtuar demokratëve përmes rrjetit social Facebook.
Ai i konsideroi ngjarjet e djeshme si ekstreme dhe se dëmtojnë institucionet demokratike të vendit.
“Një zhvillim i kësaj natyre që patjetër e dobëson kundërshtarin politik, në fakt godet vendin. Godet shoqërinë, godet të gjithë ngrehinën e kulturës politike e cila për të gjitha arsyet që dimë për shkak të historisë e traditës jo dhe aq bujare të shqiptarëve në raport me institucionet dhe shtet formimin përbën realisht problem. Kjo kulturë politike dje ka marrë një goditje të tmerrshme”, u shpreh kryeministri.
Ai tha se zhvillimet e ditës së djeshme nuk dëmtojnë vetëm PD-në, por “dëmton ngrehinën institucionale të Shqipërisë”.
“Ky është shkatërrim që dëmton institucionin demokratik të opozitës, por edhe gjithë kornizën institucionale të vendit”, tha kryeministri.
Rama: Pse policia nuk ndërhyri që në fillim të protestës
Kryeministri Edi Rama ka përgëzuar punën e policisë për mbarëvajtjen e protestës tek selia e PD. Rama tha se policia ka ndërhyrë në kohën e duhur dhe shpjegoi se ndërhyrja nuk ishte që në fillim pasi askush nuk e kishte kërkuar ndihmën.
“E para dje policia ka mbajtur të njëjtin standard dhe në sulmet që i janë bërë godinës së Kryeministrisë. Për sa kohë protestuesit janë marrë me muret dhe me dyert policia nuk ka ndërhyrë, por nga ana tjetër policia nuk ka ndërhyrë edhe për një arsye tjetër. Sepse njësoj si pala jashtë dhe pala brenda papërgjegjshmërisht ishin të gatshme për gjakderdhje ku përdorën njerëz si viktima. Kjo është e vërteta.
Se nëse nuk do të ishte kjo e vërteta gjëja më normale në botë që do të ishte që ata që e kanë vulën dhe selinë e PD, do të kërkonin mbështetjen e policisë që në momentin e parë. Kemi një lajmërim për një miting në oborr, kemi arsyet se mund të degradojë në sulm ndaj godinës, ndaj hajde na mbroni.
Por thonë jo nuk e marrim policinë se nuk duam të dukemi që jemi të Ramës dhe të themi që Rama është me Berishës. Por këto janë lojëra të rrezikshme me fatin e njerëzve me jetën e njerëzve. Janë lojëra të rrezikshme të udhëheqësve të papërgjegjshëm. Policia ishte aty dhe meriton përgëzimet më të mëdha për atë që bëri dje. Se ishte një situatë unikale”, u shpreh Rama.
Ditën e djeshme, mbështetës të ish-kryeministrit Sali Berisha me trapanë dhe çekiçë në duar tentuan të futeshin brenda ambienteve të selisë së PD-së. Ata shqyen dyert dhe thyen dritaret, ndërsa përdorën shkallët për t’u ngjitur me dhunë në katin e dytë të godinës.
Incidentet nuk kanë munguar as brenda ambienteve të PD-së, ku kanë plasur kapsolla dhe është përdorur gaz lotsjellës dhe fikës zjarri kundrejt protestuesve.
Pas përplasjeve fizike dhe incidenteve të ndodhura në selinë e PD ditën e shtunë, Policia ka shoqëruar së paku 59 persona, prej tyre 8 të mitur.