Deputetja demokrate Flutura Açka ka reaguar në lidhje me bashkëbisedimin e kryeministrit Edi Rama me demokratët, një ditë pas protestës në selinë blu.
Në reagimin e saj Açka shprehet se shqetësimi i shqiptarëve është qeverisja e Ramës dhe qëndrimi i tij në pushtet me vota të grabitura. Duke ironizuar ajo pyet kryeministrin se kur do të bashkëbisedojë me patronazhistët.
“Mjerim, ke kohë që nuk je më lajm dhe kërkon të bëhesh lajm me demokratët. Po i përgjigjet pyetjeve të përgatitura nga zyra e Gebellsit të tij në emër të demokratëve. Shqetësimi i sotëm i shqiptarëve nuk është “dhëmbi i prishur” i demokratëve, por sarkoma e qeverisjes tënde. Faturën me emrin tënd dhe qeverisë tënde e dinë mirë shqiptarët.
Dhe sa për fjalime që po bën nga kali i shaluar, me fjalorin tënd vulgar permanent, dikush është mirë të ta thotë qartë: Demokratëve nuk iu ha fare Edi për Edin, madje as shqiptarëve. Sepse, rri krekosur në pushtet me vota të grabitura si në asnjë demokraci të vërtetë në botë.
Meqë ra fjala, me patronazhistët kur do të bashkëbisedosh?”, shkruan Açka.