Nga dr. Blerina Fusha
Në një raport të Organizatës së Kombeve të Bashkuara paraqiten shifrat e frikshme të largimit masiv të shqiptarëve në këto 30 vite. Shqiptarët të moshave të ndryshme, të statuseve të ndryshme, profesioneve të ndryshme po largohen. Ky lloj largimi është masiv dhe shumë i shpejtë, gati urgjent. Po ikin profesionistët, po ikin të rinjtë po ikin të gjithë.
Po pse po ikin shqiptarët? Shumë kush që e bën këtë pyetje, i ftoj të shohin përreth dhe të kuptojnë mjaft mirë pse po ikin shqiptarët.
Ndër studimet dhe teoritë kryesore që shpjegojnë migrimin si fenomen, faktori ekonomik është faktori kryesor që ndikon në lindjen e dëshirës dhe më pas vendimmarrjes për tu zhvendosur nga një vend në tjetrin apo nga një shtet në shtetin tjetër.
Migrimi për shqiptarët nuk është një fenomen i ri, as nuk përbën një tematikë që nuk ka njohur diskutime më parë ose analiza rreth llojshmërisë së migrimit, faktorëve tërheqës dhe shtytës apo dhe format që ky fenomen ka marrë në kalimin e viteve. Kur themi që shqiptarët po ikin, po themi për një valë të madhe, një dyndje masive shqiptarësh që po trokasin dyerve të Europës për të gjetur atë që në vendin e tyre i mungon.
Po pse ikin shqiptarët? Për t’iu përgjigjur kësaj pyetje, a më thoni ju lutem sa ka shkuar pazari për një vend pune? Sa duhet të japësh për të gjetur një vend pune? Sa njerëz duhet të njohësh, sa lek duhet të kesh që të kesh mundësinë të fillosh punë këtu në Shqipëri? Nuk ka rëndësi shkolla, diplomat, titujt shkencor, aftësitë, meritokracia… nuk kanë rëndësi fare! Nëse je vajza ose djali i dikujt, bashkëshortja ose bashkëshorti i dikujt me rëndësi atëherë bujrum, ke punën gati, mundësisht dhe 2 ose 3 vende pune njëkohësisht. Dëgjoj që thuhet shqiptarët rrinë në kafe dhe nuk kërkojnë, punë ka, por s’ka profesionistë, por në të vërtetë s’ka mundësi reale punësimi. Shikojini pak ju lutem ofertat e punës, kërkesat që kanë këto oferta, të ketë mbaruar 70 vite shkolle, të ketë 100 vite eksperiencë pune, të zotëroj 20 gjuhë të huaja .
Le të marrim të mirëqenë që dikush i plotëson këto kushte absurde që lexon në njoftim për punë. Ke aplikuar dhe ke dërguar të gjitha dokumentet e nevojshme sipas kohës, sipas kërkesave, por as nuk denjon njeri të kthejë një përgjigje që po jeni përzgjedhur ose jo zonjë / zotëri nuk jeni përzgjedhur për këtë punën e nderuar sepse e vërteta është që ky pozicion i është premtuar dikujt që njeh dike dhe që ky personi që njihte ketë person ka më tepër rëndësi sesa të gjitha aftësitë, vlerat, studimet, titujt, eksperienca që ti ke.
Normalisht institucioni do ta nxjerri vendin vakant të punës për të plotësuar atë të ashtuquajtur mundësi dhe transparencë për të aplikuar në një vend pune! Kur nuk mundesh të gjesh një punë që ekonomikisht të jetosh si njeri, atëherë pse pyesni për ikjen e shqiptarëve? Le të mbetemi tek aftësitë, tek arsimimi, tek mundësitë që kanë të rinjtë të jenë konkurrues në tregun e punës, që të kemi profesionistë, sepse po i marrim nga jashtë profesionistët se s’kemi në vendin tone asnjë të tillë. Sistemi arsimor sa mundësi reale ofron, kush më thotë? Sa mundësi reale ofron për profesionistët, për mjekët, infermieret, inxhinieret, programuesit etj? Po ikin profesionistët, po ikin se Gjermania i paguan më mirë. Po ikin profesionistët sepse këtu po dalin mjekë që s’kanë bërë praktikë më parë, po ikin programues që gjithë vitet e shkollës s’kanë prekur kompjuter me dorë, që bëjnë kodin në tabelë me shkumës, po ikin infermierët që nuk dinë të gjejnë venën e të sëmurit sepse s’kanë ku të bëjnë praktikë, sepse sistemi jonë arsimor ka marrë fund.
A mund të më thotë njeri si është situata nëpër të gjitha nivelet arsimore në Shqipëri? Niseni nga shkolla fillore, sa mësues të kualifikuar keni, sa mësues të motivuar keni realisht? Sa mësues janë aty dhe në mënyre arrogante nisin ditën dhe deri në orën e fundit të mësimit kanë mallkuar çdo fëmijë, kanë bërtitur dhe ulëritur dhe janë psikologjikisht të lodhur me punën e tyre. Sa mësues japin lëndën për të cilën s’kanë kualifikimin e duhur, mësues i fizkulturës jep matematikë, mësuesi i anglishtes jep fizikë. Shkollat përtej që s’kanë kushtet fizike për të bërë mësim, s’kanë ngrohje, s’kanë mjetet e duhura, s’kanë as një staf të mirëpërgatitur për punën e tyre.
Po për gjimnazet? Kush më thotë pse ju të nderuara zysha të gjimnazeve kur keni orën e mësimit në shkollë nuk shpjegoni dhe më vonë i “ftoni” të gjithë nxënësit të ndjekin kurset private që ju vetë bëni për gjerat që duhet të shpjegoni në orën e mësimit. Pse? Me çfarë të drejte i kërcënoni nxënësit për të marrë pjesë në këto kurse? Nëse nuk doni të punoni më, pse nuk ia lëshoni vendin dikujt që beson në të vërtetë në mësimdhënien? Pastaj kemi të rinj të pamotivuar për të mësuar. JO nuk kemi të rinj të pamotivuar, kemi të rinjtë të shfrytëzuar dhe të lodhur nga këto sjellje.
Universitet tona, aty ku predispozohet të formohen profesionistët e së ardhmes, aty ku dijet marrin formë konkrete për të na përgatitur për të ardhmen. Universitetet tona pa bibliotekë, pa tituj koherentë librash, pa staf të kualifikuar, universitete që nuk kanë asnjë hapësirë për studentin, universitet që janë kthyer si monopol i disa personave dhe është e pamundur të integrohesh brenda tyre.
Po pse ikin shqiptarët? A ju ka ndodhur ndonjëherë të shkoni në një urgjencë tek QSUT? Shpresoj mos t’iu ndodh kurrë sepse aty është një shesh beteje! Sistemi shëndetësor që këto vite është sfiduar dhe më shumë nga situata e epidemisë, vazhdon të jetë i mjerueshëm. Për çdo ditë shoh ministren që bën inaugurime spitalesh të reja, godinash, fondacionet të kësaj ambasada, të këtij institucioni etj, por realiteti është që ti shkon në spital dhe merr serum nga një shishe plastike uji Tepelena, shkon në spital dhe nuk gjen asnjë mjek sepse po punojnë në klinikat e tyre private, shkon në spital dhe duke nisur nga roja deri tek mjeku duhet të mbushen me lek mirë e mirë që të marrin parasysh hallin tënd. Shkon në spital dhe nuk ka termometër, s’ka paracetamol, s’ka doreza, s’ka maska, s’ka çarçafë, s’ka asnjë lloj kushti normal.
Shko në spital dhe fjalia e parë është shko tek kjo farmaci se ne se kemi këtë ilaç, se kemi këtë as atë sepse nuk e kemi më sepse atë që kishim e kemi shitur tek pacientët që na kanë dhënë më shumë lek, si me qenë ankand, fundja jemi në Shqipëri. Hajde shko në spital dhe nga një sëmundje do dalësh me 500 sëmundje ekstra, me një overdraft për tu paguar sepse lekët që ke dhënë aty i kanë tejkaluar kursimet, rrogën, lekët e familjarëve dhe vetëm kredia të jep ndihmë. Shko në spital dhe s’do gjesh mjekët e duhur, s’do gjesh profesionistët sepse janë larguar, Janë larguar sepse s’kanë mjetet për të punuar, nuk ndihen të sigurtë për ta përballuar urgjencën, s’kanë asnjë siguri që punën e tyre do ta kryejnë me sukses, sepse të shpëtosh jetë në këtë vend është kthyer si film aksion dhe duhet të kesh superfuqi që t’i shpëtosh sepse mjetet, ilaçet dhe kushtet nuk janë kurrkund.
Po prapë pyesim, pse po ikin shqiptarët? A i dëgjoni lajmet? Sa vrasje bëhen në ditë? Sa gjak derdhet nëpër rrugët tona me aksidentet rrugore me përfundime brutale? Sa siguri ka në të vërtetë në vendin tonë? Kush më thotë sa lek kushton një patentë sot? Po them një patentë , ku ti nuk shkon asnjë ditë, nuk bën asnjë orë mësimi, as praktikë, as teori, por ama merr një patentë, një leje qarkullimi dhe je shkaktar i disa aksidenteve, vdekjeve, por je në Shqipëri, do vazhdosh prap t’i japësh makinës. Policia rrugore është me e interesuar të marri atë 20-shen nën dorë sesa të bej punën e tyre, por si vej faj as atyre se me pagat skandaloze dhe me kushtet e tmerrshme që punojnë, justifikohen me demek për leket që marrin nën dorë.
Të marrësh një apartament me qera në Tiranë është e pamundur. Çmimet e qerave kanë fluturuar, 300, 450 euro, 500 euro dhe përtej faktit që çmimet janë në euro, nuk gjej një apartament që të ketë një çmim të arsyeshëm krahasuar me të ardhurat. Sa nga ju mund të merrni me qera një apartament me këtë çmim? Sa janë rrogat mesatarisht në Shqipëri për të patur mundësi të marrësh një apartament me qera? Të mos flasim për të blerë një të tillë, ku fillon çmimi 1500 euro për metër katror minimum, pra sipas shitësve të apartamenteve ky është një çmim i mire, je me fat po e gjete kaq. A keni mundësi ta blini?
Meqë po flasim për çmimet, sa ju kushton shporta e ushqimeve? Po flas për një shportë minimaliste, me gjërat kryesore pa ekzagjeruar, pa prekur artikuj ushqimore që quhen si artikuj luksi, sa ju shkon? Sa e përballueshme është jetesa këtu?
Pra pse ikin shqiptarët? Ikin sepse duan të trajtohen me dinjitet, ikin sepse kërkojnë siguri, kërkojnë mundësi, kërkojnë drejtësi për të jetuar denjësisht, për të ardhmen e fëmijëve të tyre, për normalitetin e munguar në vendin e tyre.
Boll pyetët pse po ikin, hapni sytë dhe do e shikoni.