Ish-këshilltar i kryeministrit Rama dhe deputet në disa legjislatura me PS dhe LSI, Spartak Braho bëri një deklaratë të fortë para protestës së 8 Janarit që shtoi tensionet mes palëve. Sipas tij, jeta e deputetit të PD-së Enkelejd Alibeaj ishte në rrezik të shtunën e kaluar, sepse ai ishte shënjestër e një plani që synonte vrasjen e tij. Menjëherë pas deklaratës nisën spekulimet.
Enkelejd Alibeaj u mbrojt nga Garda në 8 Janar, meqenëse është edhe zv.kryetar i Kuvendit.
Por pas protestës, Braho këmbëngul se informacioni për vrasjen e deputetit të PD-së ishte i vërtetë. Në një intervistë për emisionin “Natën e mirë dhe paç fat” për gazetarin Sokol Bregu, Braho tha vetë deputetë pranë Bashës i dhanë informacion Berishës për fortifikimet në selinë e PD.
“Informacioni është informacion. Ka burimet e tija dhe jo në të tëra rastet bëhen publik me hollësira, por unë do të them diçka. Alibeu ka bërë mirë që nuk shkoi atje. Mos të ngrihet si gjel deti tani nga Mallakastra dhe të thotë që ishte shantazh. Se konsideratat e tjera, në daç të PD, ndaç të të tërë deputetëve të PD-së që ishin të ngujuar atje, e panë qartë aty që kishin ardhur për dhunë, terror dhe gjak. Ajo që thashë unë ishte plotësisht e saktë dhe u realizua.
A do t’i hapim letrat? Sali Berisha ka njerëz në grupin parlamentar të Lulzim Bashës, të infiltruar. Punojnë me dy karrige. Në heshtje janë të Bashës dhe në heshtje punojnë për Berishën dhe atë ditë është programuar që me çdo kusht duhet të hakmerremi, të krijojmë një alibi dhe ta realizojmë. E gjithë historia politike e Berishës që nga 1991 deri më sot është ajo e vrasjeve pas krahëve. Ai ka patur ndikimin e tij, siç thotë populli “qyqja nuk i çel zogjtë në folenë e saj, por diku tjetër”, edhe ai këtë punë ka bërë. Basha e di shumë mirë që do të kishte të vrarë. Kjo e detyroi ta shihte me seriozitet dhe blindoi dyert. Bëri mirë. Sali Berisha derën e shtëpisë e ka të blinduar. Të tërë ata që bërtasin “pse u blindua?”, dyert e shtëpisë i kanë të blinduara. Kjo është arsyeja që Basha thirri kosovarë dhe gjakovarë për të mbrojtur jetën e tij. Nëse nuk arrestohet Sali Berisha, do ketë viktima. Sali Berisha është sekt vrasës. Ka krijuar sekt vrasës me njerëz të afërt, tropojanë dhe nga zona të veriut që janë kamikazë” u shpreh ai.
Para protestës, Enkelejd Alibeaj tha se nuk i kishte marrë seriozisht paralajmërimet e Spartak Brahos, megjithëse pranoi se mbështetësit e Berishës erdhën për të vrarë në seli.
“Që të ngresh një tezë bazuar tek deklarata e Brahos nuk besoj që e meriton. Nuk ka burrë nënë që mund ta tut, apo ta shantazhojë apo të bëjë negociata me disa parime të vetat. Jo të më shantazhojë mua Edi Rama apo dikush tjetër nuk ka për të ndodhur kurrë dhe për këtë i kam dhënë provat. Me këtë çështje nuk merrem fare. Nuk i kushtova rëndësi deklaratës së bërë Brahos, pati disa shqetësime nga ana e familjes. Nuk ka shoqërues nga Garda. Ditën e shtunë një këshilltar i imi tha të bëjmë një kërkesë, por nuk e kisha problem dhe në mënyrë miqësore erdhi një”, tha Alibeaj.