Policia e kryeqytetit ka arrestuar një 31-vjeçar pasi ka tentuar të djegë banesën e ish-të dashurës së tij. Sipas bluve të Tiranës mësohet se ai ka ushtruar në mënyrë të vazhdueshme dhunë psikologjike ndaj saj.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 6 bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit V. Z., 31 vjeç, pasi ka tentuar t’i djegë banesën ish të dashurës, dhe në mënyrë të vazhdueshme ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj saj”, njofton Policia.
Ndërkohë efektivët e Policisë në Komisariatin e Kavajës arrestuan në flagrancë shtetasin A. L., 30 vjeç, pasi ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëjetueses.
Një tjetër person u arrestua për përndjekje. Sipas Policisë në pranga ra S. K., 59 vjeç, pasi në mënyrë të vazhdueshme ka përndjekur shtetasen M. H., 46 vjeçe.