Bota SHBA paralajmëron: Rusia mund ta pushtojë Ukrainën në çdo moment

SHBA paralajmëron: Rusia mund ta pushtojë Ukrainën në çdo moment

Zhvendosjen e trupave ruse në perëndim të Bjellorusisë, Shtetet e Bashkuara e shohin si një përgatitje për pushtimin e Ukrainës.

Zëvendësministri rus i Mbrojtjes, Alexander Fomin, tha se stërvitjet e përbashkëta me Bjellorusinë do të përfshijnë përgjigjen ndaj kërcënimeve të jashtme, por zyrtarët amerikanë e quajtën situatën “jashtëzakonisht të rrezikshme“.

“Presidenti Putin e ka krijuar këtë krizë duke grumbulluar 100 000 trupa ruse përgjatë kufijve të Ukrainës. Kjo përfshin lëvizjen e forcave ruse në Bjellorusi kohët e fundit për stërvitje të përbashkëta dhe kryerjen e stërvitjeve shtesë në kufirin lindor të Ukrainës”, tha sekretarja e shtypit në Shtëpinë e Bardhë, Jen Psaki.

“Pra, le të jemi të qartë, pikëpamja jonë është se kjo është një situatë jashtëzakonisht e rrezikshme, ne jemi tani në një fazë ku Rusia në çdo moment mund të nisë një sulm në Ukrainë.”

Sekretari amerikan i Shtetit do të udhëtojë në Ukrainë këtë javë dhe do të takohet me ministrin e jashtëm rus, Lavrov, në Gjenevë, ndërsa tensionet rriten nga frika për një pushtim të mundshëm rus.

Blinken do të udhëtojë në Kiev të mërkurën dhe do të takohet me presidentin Volodymyr Zelenskyy dhe ministrin e Jashtëm Dmytro Kuleba për të “përforcuar angazhimin e Shteteve të Bashkuara ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës“, tha Departamenti i Shtetit.

Udhëtimi vjen pas negociatave në Evropë midis SHBA-së dhe Rusisë, të cilat deri tani kanë bërë pak për të qetësuar tensionet në rritje.