Bota Moska njofton manovër të madhe ushtarake. SHBA lejon vendet baltike të dërgojnë...

Moska njofton manovër të madhe ushtarake. SHBA lejon vendet baltike të dërgojnë armë në Ukrainë

Ndërkohë që janë intensifikuar përpjekjet diplomatike për shmangien e konfliktit në Ukrainë, ushtria ruse demonstron forcë. Lëvizja e re nga SHBA, lejon vendet baltike të dërgojnë armë në Ukrainë

Në kulmin e tensionit lidhur me Ukrainën, lidhur edhe me shqetësimin e Perëndimit nga ndërhyrja e ushtrisë ruse në vendin fqinj, Rusia ka njoftuar për një manovër ushtarake në shkallë të gjerë në Atlantik, Arktik, Paqësor dhe në Mesdhe. Në stërvitjen e planifikuar për në janar dhe shkurt janë përfshirë gjithsej më shumë se 140 anije, mbi 60 aeroplanë dhe 1000 pajisje të tjera ushtarake, njoftoi Ministria ruse e Mbrojtjes në Moskë, sipas të dhënave të agjencive ruse të lajmeve. Rreth 10.000 ushtarë do të marrin pjesë në këtë manovër.

Ministria ruse e Mbrojtjes shpjegoi, se qëllimi kryesor i stërvitjes së planifikuar është “mbrojtja e interesave kombëtare ruse në oqeane dhe për t’u bërë ballë kërcënimeve ndaj Rusisë prej oqeaneve”.

SHBA lejon vendet baltike të dërgojnë armë në Ukrainë

SHBA-ja u ka dhënë leje Letonisë, Lituanisë dhe Estonisë që të dërgojnë armët e tyre të prodhimit amerikan në Ukrainë me qëllim që të mbështesin këtë vend.

Një lëvizje e re ka ardhur nga administrata amerikane pas grumbullimit ushtarak të Rusisë në rajonet afër kufirit ukrainas.

Në lajmin e gazetës amerikane “Wall Street Journal” të bazuar në një zyrtar, pretendohet se SHBA-ja u ka dhënë leje anëtarëve të rajonit baltik të NATO-s, Letonisë, Lituanisë dhe Estonisë që të dërgojnë raketat antitank ”Javelin” dhe antiajrore ”Stinger” për të mbështetur ushtrinë ukrainase.

Një zyrtar që ka folur për gazetën ka thënë se administrata e presidentit amerikan Joe Biden ka njoftuar Kongresin lidhur me miratimin e shitjes së helikopterit transportues ”Mi-17” për Ukrainën.

Ndërkohë Departamenti amerikan i Mbrojtjes dhe Departamenti i Shtetit janë shmangur të japin deklarata për këto dy çështje.

Tensionet

Teksa tensionet në rajon janë përshkallëzuar, sekretari i Shtetit, Antony Blinken vizitoi Kievin dhe përsëriti mbështetjen për Ukrainën.

SHBA-ja paralajmëron se do të vendosë sanksione të rënda ndaj Rusisë nëse pushton Ukrainën.

Blinken dhe ministri i Jashtëm rus, Sergey Lavrov do të takohen sot në Gjenevë për të biseduar për sigurinë e rajonit dhe kryesisht tensionet në kufirin e Ukrainës.