A2 CNN ka siguruar pamjet e momentit kur një person vendos tritolin në derën e jashtme të banesës së presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka.
Në pamjet e kapura nga kamerat e sigurisë të vendosura rreh banesës në Durrës – të siguruara nga gazetarja e A2 CNN, Elitojna Doko, shihet një djalë me kapuç në kokë, që ecën në rrugë përballë banesës dhe në një moment, ndez lëndën shpërthyese dhe e vendos pranë, ngjitur me derën, për t’u larguar me vrap.
Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e së hënës. Shpërthimi ishte i fuqishëm dhe u dëgjua në të gjithë zonën e qendrës së qytetit bregdetar. Policia nuk ka dhënë ende asnjë detaj mbi autorin e kësaj ngjarjeje.
Shpërthimi ndodhi menjëherë pasi gjatë ditës së hënë pati një përplasje të fortë mes Dukës, i cili synon mandatin e gjashtë në krye të FSHF, dhe kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj. Ky i fundit është regjistruar në një takim me përfaqësues të shoqatës rajonale të futbollit të Tiranës, ku lobonte për kundërshtarët e Dukës në zgjedhjet e 6 marsit, ndërsa e ka akuzuar atë për vjedhje dhe shpërdorim të fondeve për futbollin.
Burimi: A2 CNN