Televizioni shtetëror turk, TRT thotë se gjuha turke në shkollat shqiptare është futur edhe zyrtarisht si lëndë me zgjedhje pas vizitës së Presidentit Rexhep Tajip Erdogan në Shqipëri.
Sipas TRT-së, në të gjitha shkollat 9-vjeçare shqiptare po pyeten prindërit që kanë nxënës nga klasat e gjashta deri në klasat e nënta nëse mbështesin, apo jo futjen e gjuhës turke si lëndë me zgjedhjeve.
Pas këtij procesi, në shkollat ku do të sigurohet një numër i mjaftueshëm nxënësish të gatshëm për të mësuar turqishten, shkollave do t’u shtohet stafi i kualifikuar për mësimdhënien e kësaj gjuhe.
Kjo konfirmohet edhe përmes një e-maili që Drejtoria Rajonale Arsimore e Tiranës u ka nisur të gjitha shkollave ku kërkon informacion të plotë në lidhje me numrin e nxënësve që pranojnë të mësojnë turqisht si gjuhë të huaj, si pjesë e kurrikulës me zgjedhje.
Mësueset kujdestare të klasave u kanë dërguar prindërve javën që kaloi mesazhe, ku kërkohet të mblidhen të dhënat mbi preferencat për gjuhën turke. Ndërsa, në Fletoren Zyrtare është publikuar që në datën 2 mars 2021 marrëveshja mes Turqisë dhe Shqipërisë, e cila parashikon futjen e gjuhës turke në shkollat shqipe si lëndë e një gjuhë të huaj me zgjedhje të lirë.
Ndërkohë, Ministria e Arsimit vë theksin se turqishtja do të jetë një lëndë me zgjedhje dhe askush nuk do ta mësojë atë me detyrim. Në një intervistë për A2 CNN, ministrja Evis Kushi u shpreh se nuk ka përfunduar ende faza e konsultimit me prindërit në këtë drejtim dhe se bëhet fjalë për një projekt pilot.
“Në janar të vitit të kaluar ne jemi angazhuar në një marrëveshje me Turqinë, që të bëjmë një studim nëse ka interes për të mësuar gjuhën turke si gjuhë me zgjedhje në shkolla të caktuara. Nuk kemi ende një vendimmarrje dhe pyetësori nuk ka filluar pas vizitës së Erdogan, por që në dhjetor si detyrim i marrëveshjes për të mësuar nëse ka interes. Nuk ka asnjë imponim dhe sot nuk ka asnjë vendimmarrje”, tha ajo.
Kushi tha se si pjesë e kësaj marrëveshje është edhe futja e gjuhës shqipe në shkollat turke si lëndë me zgjedhje në zonat ku ka komunitet shqiptar.