Kryesia e Partisë Socialiste ka vendosur për kandidaturat për kryetarë bashkie në bashkitë ku do të zhvillohen zgjedhjet e pjesshme.
Sekretari i Përgjithshëm i PS-së Damian Gjiknuri tha se për Durrësin do të rikonfirmohet Emirjana Sako, pasi sipas tij ka justifikuar punën e saj. Ai tha se vazhdojnë ende konsultimet për bashkinë e Lushnjës.
Në Shkodër u caktua si kandidat për bashkinë Majlinda Agoni që aktualisht është Prefekte e qarkut.
Në Dibër do të kandidojë Rahim Spahiun 55 vjeç, me karrierë në administratën publike dhe sistemin bankar.
Në Vorë do të kandidojë Blerim Shera, kurse për Bashkinë e Rrogozhinës do të kandidojë Edison Memolla, i cili është aktualisht në këtë detyrë.
Ndërsa për Bashkinë e Lushnjes, drejtuesi politik i këtij qarku, Taulant Balla, tha se kandidati do të caktohet të martën në mëngjes pasi do të bëhet një anketim publik për kandidatin.
“Unë jam prej muajit shtator drejtues politik në Lushnje dhe Fier dhe në mekanizmin e përdorur për t’u konsultuar me shoqërinë civile, me sipërmarrjen, me fermerët, duhet dhe një konsultë më e gjerë me popullin e Lushnjes. Do ta keni shumë shpejt ditën e martë”, u shpreh Taulant Balla.