Aktualitet Zbulohet arsenal armësh në Elbasan, do të ekzaminohen nëse janë përdorur në...

Zbulohet arsenal armësh në Elbasan, do të ekzaminohen nëse janë përdorur në ngjarje kriminale

Arsenal armësh është zbuluar në një banesë në qytetin e Elbasanit në lagjen “Visarion Xhuvani”. Armët janë gjetur në shtëpinë e 44-vjeçarit me iniciale G.P., i cili u arrestua në flagrancë.

Konkretisht, policia sekuestroi një armë zjarri kallashnikov, një pushkë sportive me dylbi, rreth 500 copë fishekë  luftarak për pistoletë, kallashnikov e mitraloz, një përforcues grushti, një thikë dhe 7 karikatorë.

Provat e mësipërme janë dërguar në Institutin e Policisë Shkencore në Tiranë për t’u ekzaminuar nëse janë përdorur në ngjarje të tjera kriminale.

Gjithashtu po vazhdon puna për dokumentimin e mëtejshëm ligjor të kësaj ngjarje dhe të aktivitetit kriminal të këtij shtetasi nëse është i implikuar në ngjarje  kriminale të ndodhura më parë.

Materialet  i kaluan për veprime të mëtejshme hetimore  Prokurorisë pranë Rrethit Gjyqësor Elbasan për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe  prodhimi i armëve,  armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.