Tre persona janë arrestuar dhe një tjetër është proceduar penalisht në gjendje të lirë gjatë dy operacioneve të ndryshme anti-kanabis në Lezhë.
Në total janë sekuestruar rreth 50 kilogramë kanabis sativa. Konkretisht, në operacionin Munella në fshatin Domgjon të Mirditës, policia zbuloi 31 kg e 600 gramë kanabis në banesat e V.Ll. 49 vjeç dhe P.N. 43 vjeç.
Të dy këta u arrestuan në flagrancë për veprën penale prodhim dhe shitje e narkotikëve e kryer në bashkëpunim.
Ndërsa në operacionin “Kaçinari” në fshatin Arrëz u sekuestruan 18 kg kanabis në banesën e B.Ç, 36 vjeç. Ky i fundit u arrestua për prodhim dhe shitje të narkotikëve, ndërsa babai i tij P.Ç. u procedua penalisht në gjendje të lirë për shkak të problemeve shëndetësore.