Voltana Ademi është tërhequr nga gara për kryetare e Bashkisë Shkodër.
Ademi nuk do të jetë pjesë e garës për 6 marsin, edhe pse kishte deklaruar se ishte gati të kandidonte për një mandat tjetër.
Së fundmi ajo ishte pozicionuar pranë lëvizjes së ish-kryetarit të PD-së, Sali Berisha.
Euronews Albania ka tentuar të komunikojë me Ademin për vendimin e papritur, por deri tani nuk është mundësuar një deklaratë e saj.
Më herët për arsye ende të paqarta nga gara për kryebashkiak është tërhequr dhe ish-deputeti Lorenc Luka.
Të dielën, grupi i rithemelimit, drejtuar nga Berisha do të zhvillojë votimet për të zgjedhur kandidatët për kryebashkiak. Bardh Spahia është emri më i përfolur. Një tjetër emër i propozuar është dhe ai i pedagoges Irena Shestani.
Nuk dihet ende logoja me të cilën do të kandidojnë të përzgjedhurit.
Nga Lulzim Basha nuk ka asnjë ndryshim. Korrespondenti i Euronews Albania në Shkodër raporton se Xhemal Bushati dhe kryetari aktual i PD në Shkodër, Xhevdet Amuli do të kandidojnë nën siglën e PD-së.
Aktualisht grupi i rithemelimit po zhvillon një mbledhje, pjesë e së cilës është dhe Voltana Ademi. Pas kësaj pritet që të konfirmohet lista zyrtare me kandidatët.
Mazhoranca ka shpallur zyrtarisht prefekten Majlinda Angoni si kandidate për drejtimin e bashkisë Shkodër.
Burimi: Euronews Albania