Bota Matarella sërish President i Italisë; kush është 81-vjeçari, të cilit Toto Riina...

Matarella sërish President i Italisë; kush është 81-vjeçari, të cilit Toto Riina i vrau të vëllanë

Pas disa ditë dështimesh për të zgjedhur një përfaqësues të së djathtës si kryetar shteti, Italia ka rizgjedhur për një mandat të dytë Sergio Matarella-n si President të Republikës.

Asambleja e Posaçme ku marrin pjesë Dhoma e Përfaqësuesve, Senati, dhe një pjesë të zgjedhurish nga rajonet e vendit ka votuar për juristin siçilian 81-vjeçar për një tjetër mandate 7-vjeçar. Plot 759 vota ka marrë presidenti aktual, që vetëm në mëngjes ka vendosur të rikandidojë, pasi ka parë që nuk ka pasur një kandidaturë që bashkonte të majtën dhe të djathtën.

Me një të shkuar demokristiane, Sergio Matarella, ka shërbyer në poste të rëndësishme të vendit si Zv.kryeministër, ministër i Mbrojtjes, Ministër i Arsimit dhe Anëtar i Gjykatës Kushtetuese.

Matarella është i biri i një prej bashkëpunëtorëve më të ngushtë të Alchide de Gasperi-t, babai i Italisë moderne, i cili ka qenë disa herë ministër. Pas shkërmoqjes nga korrupsioni të Partisë Demokristiane Italiane, Matarella nuk pranoi të bashkohet me Berlusconin, por bashkë me një grup kolegësh themeluan qendrën e majtë italiane, lider i së cilës ishte ish-kryeministri, Romano Prodi.

Ai i përket një familje që ka sakrifikuar në luftën ndaj mafia-s siçiliane. Vëllai i presidentit aktual, Piersanti Matarella u masakrua me urdhër të posaçëm të Toto Riina-s në makinën e tij, poshtë shtëpisë ndërsa po shkonte në zyrën e tij ku shërbente si President i rajonit të Siçilisë.

Ekzekutimi i tij ndodhi pasi refuzoi të jepte tendera dhe leje ndërtimi për pjesëtarët e krimit të organizuar.

Sergio Matarella është një europianist i bindur, në vitin 2017 refuzoi të emëronte ministër Financash, një ekonomist të propozuar nga Lëvizja 5 Yje, i cili kërkonte daljen e Italisë nga Euro.

Qenia e tij si President dhe Mario Draghit si kryeministër, konsiderohet si një stabilitet dhe siguri nga liderët europianë.