Një ditë pas dorëheqjes nga gara për kryetare bashkie, Voltana Ademi deklaron se nuk e njeh Lulzim Bashën si kryetar të PD-së. Teksa ndoqi nga afër procesin e primareve në Shkodër, ajo tha se Shkodra e ka vuajtur shumë shitjen e votës.
“Ne do fitojmë bashkinë e Shkodrës, shikoni angazhimin e anëtarëve të Partisë Demokratike në këtë primare. Në krizë është Lulzim Basha. Unë nuk e njoh, nuk e di kush është Lulzim Basha tashmë”, u shpreh Ademi.
E pyetur nëse fshihet diçka tjetër pas dorëheqjes, Ademi dha këtë përgjigje: “Jo unë kam qenë krejt e qartë besoj. Jam përpjekur të jem e strukturuar dhe e qartë për të gjithë, në mënyrë që të gjithë ta lexojnë ashtu siç e kam shkruar. Kam qenë e bindur për një hap që përfaqësimi i të gjithë atyre njerëzve që duhet dhe mund të drejtojnë vendin, Shkodrën në këtë rast, duhet të jetë një grup, pjesë e grupit jam edhe vetë. Jam nga ato që e kam mbështetur lëvizjen e Sali Berishës, do vijoj të jem aktive për këtë. Të sigurohemi që do të kemi pjesëmarrje sa më të mirë të njerëzve që mbështesin gjithë kandidatët ne do sigurojmë një maksimalizim të përfaqësimit të qytetit. Një thirrje për qytetarët për të votuar në 6 mars. Bëhet fjalë për një leksion demokracie që ne duhet ta japim”.
Ditën e sotme po zhvillohen votimet në 6 bashki, për të përzgjedhur kandidatët e Komisionit të Rithemelimit për zgjedhjet e pjesshme vendore që pritet të zhvillohen më 6 mars.
Janë gjithsej 22 emra që garojnë, por Komisioni i Rithemelimit do të nxjerrë vetëm 6 kandidatë. Në këtë proces mund të votojnë të gjithë anëtarët e Partisë Demokratike.
Këto votime nuk njihen nga kryetari i PD-së, Lulzim Basha.