Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP), ka shkarkuar këtë të hënë nga detyra prokuroren e Dibrës Belina Zeneli, pas kërkesës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë (ILD). Hetimi ndaj magjistrates nisi pas ankesës së depozituar në ILD nga Prokurori i Përgjithshëm.
Nga hetimi disiplinor që përfshiu punën e Zenelit në periudhën 2013-2021, doli në përfundim se veprimet dhe mosveprimet e prokurores kanë mospërmbushje të pajustifikuar dhe të përsëritur të funksioneve gjatë hetimit, duke sjellë zvarritje të pajustifikuara të akteve procedurale, të cilat janë të detyrueshme për zbatim nga ana e magjistratëve.
Magjistratja ka kryer të njëjtën shkelje, gjatë periudhës kohore 2013- 2021, duke bërë që shkelja të jetë vazhduese. Sipas ILD-ë, veprimet e magjistrates kanë sjellë pasoja në dhënien e drejtësisë dhe kanë cenuar imazhin e organit të akuzës, duke ulur besimin e publikut tek drejtësia.
“Ato përbëjnë shkelje shumë të rëndë disiplinore, që diskrediton pozitën dhe figurën e prokurorit gjatë ushtrimit të detyrës dhe Inspektori i Lartë i Drejtësisë i propozoi Këshillit të Lartë të Prokurorisë masën disiplinore ‘Shkarkim nga detyra, për statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve në Republikën e Shqipërisë’, masë që u pranua nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë”, – thuhej mes të tjerash në kërkesën e ILD drejtuar KLP për shkarkimin e prokurores.