Sali Berisha i quajti zgjedhjet e brendshme për kandidatët e PD për kryetarë bashkie në zgjedhjet e pjesshme vendore si një moment historik që shkëputi këtë forcë politike nga Lulzim Basha.
“Dita e djeshme shënoi shkëputjen përfundimtare të PD nga praktikat jo transparente të dyshimta, praktikat e errëta të përdorura në 8 vite nga Lulzim brava dhe shënoi mbajtjen e një premtimi të bërë anëtarësisë së PD 4 muaj më parë dhe të sanksionuar në statutin e kësaj partie në Kuvendin e Rithemelimit të datës 11 Dhjetor, të drejtën e anëtarëve për të përzgjedhur përfaqësues të tyre në qeverinë vendore, parlament, në drejtim të PD në degën e tyre por dhe Kryeministrin e tyre“, tha Berisha në një konferencë për mediat.
Pasi falënderoi të gjithë pjesëmarrësit në garën e brendshme dhe ai tha se do të bënte gjithçka për t’i dhënë mundësinë fituesve të primareve që të jenë qytetarë të parë të qyteteve ku do të garojnë.
Komisioni i Rithemelimit, që pretendon se drejton përkohësisht Partinë Demokratike pas kuvendit të 11 dhjetorit zgjodhi kandidatët për të garuar në zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 marsit për bashkitë Shkodër, Durrës, Dibër, Vorë, Rrogozhinë dhe Lushnjë.
Ky komision nuk njihet nga Lulzim Basha, i cili nga ana e tij pretendon se e drejton ai Partinë Demokratike. Në mbledhjen e parë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve lidhur me zgjedhjet e 6 marsit, edhe ky institucion njohu përfaqësuesit e Bashës si përfaqësues të Partisë Demokratike.