Ish-kryeministri Sali Berisha, në konferencën ku prezantoi kandidatët e Rithemelimit për zgjedhjet e pjesshme, njoftoi edhe se së shpejti do të bëjë një koalicion me disa parti, ku do të prezantojë edhe logon e re.
“Edi Rama ka konfiskuar siglën e Partisë Demokratike dhe qëllimi i këtij konfiskimi ishte që ne të mos merrnim pjesë në këto zgjedhje. Ne do të marrim pjesë në zgjedhje sepse bojkoti nuk është opsion për ne. Sigurisht që do të ketë një koalicion në përputhje me ligjin dhe në atë marrëveshje do të paraqitet edhe logoja e re. Çdo shqiptar e ka të qartë që logon e vërtetë tonën e ka konfiskuar Edi Rama. Kjo nuk i pengon shqiptarët që logon e vërtetë ta shohin në fytyrat e kandidatëve tanë”, tha Berisha.
Më tej, ish-kryeministri zbuloi edhe emrin e koalicionit. Ai do të quhet “Shtëpia e lirisë”.
“Shtëpia e lirisë do të ketë logon e vet, gjë që është normale në çdo koalicion”, nënvizoi Berisha, i cili ftoi në koalicion edhe të përjashtuarit nga Lulzim Basha në vitin 2017.
“Ata do të kontribuojnë në këtë fushatë. Hapja ndaj atyre që kanë dhënë për PD-në është ligj i pandryshueshëm për ne”, theksoi Sali Berisha.
I pyetur nga gazetarët nëse LSI do të jetë pjesë e këtij koalicioni, Berisha e konfirmoi këtë fakt.
“LSI është pjesë e këtij koalicioni dhe po shikohen modalitetit që parashikon ligji”, deklaroi Sali Berisha duke shtuar se janë në negociata edhe me parti të tjera.