Edhe pse pagat janë më të ulëtat, nga ana tjetër niveli i çmimeve në vendin tonë është ndër më të lartat rajonale
Shqipëria është e fundit në Europë për rrogën minimale. Me pagën minimale 30 mijë lekë, vendi ynë nuk kalon asnjë prej 48 shteteve të tjerë europiane.
Edhe pse në vitin 2021, paga minimale u rrit me 30 euro, vlera e re nuk tejkalon asnjë shtet tjetër.
Në raport me shtetin kryesues, Luksemburgun, paga minimale në Shqipëri është 9 herë më e ulët dhe në raport me mesataren e Bashkimit Europian, 4 herë.
Më shumë se 25 % e punonjësve në Shqipëri paguhen me rrogë minimale, e cila vlen shumë më pak, nëse llogaritet edhe pjesa e shpenzimeve.
Në krahasim me shtetet e zhvilluara të Europës Perëndimore, fuqia blerëse e pagës minimale në Shqipëri është katër herë më e ulët, p.sh., në krahasim me Gjermaninë.
Në matjet e Eurostat, familjet shqiptare kanë peshën më të lartë të shpenzimeve për ushqime në Europë, një tregues ky që flet për varfërinë në vend.
Buxheti i lartë që shpenzojnë familjet shqiptare në raport me totalin që ata kanë në dispozicion në një muaj është tregues i varfërisë më të lartë (ushqimet janë shpenzimi i domosdoshëm për mbijetesë), por edhe çmimeve relativisht të larta në raport me të ardhurat.
Vendi ynë ka nivelin më të ulët të të ardhurave për frymë në Europë, në raport me mesataren e BE, por nga ana tjetër niveli i çmimeve në vendin tonë është ndër më të lartat rajonale, duke iu afruar më shumë mesatares së BE-së për vitin 2020. Sidomos, çmimet e ushqimeve afrohen me mesataren e Europës.
Eurostat përllogariti se më 2020 çmimet e artikujve ushqimore në Shqipëri ishin sa 83.4% e mesatares së BE-së dhe gjithashtu niveli më i lartë në Rajon.
Qeveria do të rrisë sërish pagën minimale këtë vit, ndërsa premton që deri në vitin 2025 ta çojë 40 mijë lekë ose 330 euro.