Sport Ndahet nga jeta presidenti historik i futbollit italian

Ndahet nga jeta presidenti historik i futbollit italian

Një lajm i keq ka trishtuar të gjithë botën e futbollit. Maurizio Zamparini, ish-presidenti i Palermos dhe Venezias ka ndërruar jetë në moshën 80-vjeçare. Muajt e fundit, Zamparini kishte pësuar dramën më të keqe për çdo prind sepse humbi djalin e tij të vogël, Armandon në moshën 23-vjeçare.

I lindur në vitin 1941, Zamparini ishte një sipërmarrës në sektorë të ndryshëm, i cili fitoi një popullaritet të madh falë hyrjes së tij në botën e futbollit. Në vitet ’80 ai mori Venezia-n, e cila ishte në Serinë C dhe pas dekadash, në 1997, lagunat u kthyen në Serinë A. Më pas pasi shiti Venezia-n dhe bleu Palermon, ishte viti 2002, një moment i rëndësishëm për klubin sicilian sepse në atë moment ndryshoi historia e atij klubi i cili në pak vite u bë një nga kryesorët në ligën italiane.

Arritjet e Zamparinit në futbollin italian janë për t’u vlerësuar, teksa pati sukses me Palermon, madje duke e dërguar klubin siçilian deri në Europë, ndërsa zbuloi edhe lojtarë që më pas bënë histori si Cavani, Pastore, Dybala apo Amauri. Por, pas problemeve financiare me klubin, Zamparini vendosi të tërhiqej nga bota e futbollit.

Dhjetorin e kaluar ai ishte shtruar në spitalin e Udines, ku ishte operuar dhe për shkak të problemeve gjatë operacionit kishte kaluar disa ditë në terapi intensive. Por pas disa ditësh, Zamparini ishte kthyer në shtëpi pasi gjendja e tij ishte e mirë.

Ish-presidenti i Palermos dhe Venezias, ditët e fundit ka pasur probleme të tjera dhe për këtë arsye u shtrua në spital ku për fat të keq nuk mundi të rezistonte dhe ndërroi jetë mbrëmjen e djeshme.

Muajt ​​e fundit Zamparini ka vuajtur shumë për shkak të vdekjes së djalit të tij më të vogël, Armando, i cili vdiq papritur në Londër.