Kantautori shqiptar Ermal Meta, bashkë me këngëtarin e njohur italian Fabrizio Moro nuk do të këndojnë mbrëmjen e sotme në skenën e teatrit Ariston në Festivalin e 68 të muzikës italiane “Sanremo 2018”.
Vendimi për pezullimin e tyre sot, vjen pas akuzave për plagjiaturë pas prezantimit të këngës “Non mi avete fatto niente”.
‘La Stampa’ shkruan se organizatorët e festivalit kanë kërkuar më shumë kohë, për të verifikuar nëse bëhet fjalë për një plagjiaturë.
Në vend të tyre, pas një shorti të hedhur në prani të një noteri, do të marrë pjesë Renzo Rubino, që paraprakisht duhej të performonte ditën e enjte.
Mediet italiane aluduan fillimisht për plagjiaturë, por kjo u hodh poshtë shumë shpejt falë reagimit të zv.drejtorit të Rai Uno, Claudio Fasulo.
“Nuk bëhet fjalë për plagjiaturë. Kjo sepse autori është i njëjti dhe rregullorja parashikon mundësinë e përdorimit të teksteve të autorëve të tjerë në një masë jo më të madhe sesa 30%. Në këtë mënyrë, kjo këngë ka parametrat e mjaftueshme për të qenë një këngë e re me të gjitha efektet”, do të shprehej fillimisht zëvendësdrejtori i Rai Uno, Claudio Fasulo.
Vetëm pak çaste më vonë, sipas asaj që shkruan agjencia e lajmeve ANSA, gjatë konferencës për shtyp të tij, ai do të saktësonte se “bazuar mbi elementët që vihen në diskutim do të bëhen vlerësime të mëtejshme nga studioja ligjore e Rai-t”.
Në lupën e “hetimit” është vënë pikërisht ngjashmëria në një pjesë të tekstit, me këngën “Silenzio” të Ambra Calvanit dhe Gabriele De Pascalit, që u prezantua në edicionin e “Sanremo”-s për të rinjtë, në vitin 2016.
Edhe kjo këngë kishte për autor Andrea Febo, i njëjti që ka shkruar edhe tekstin e asaj të Metës dhe Moros.