Kremlini pretendon se Perëndimi ka thyer një premtim të viteve 90-të
Kremlini pretendon se Perëndimi ka shkelur premtimin e viteve 1990 se NATO nuk do të zgjerohet, dhe kështu justifikon kërcënimet e pushtimit të Ukrainës.
Rusia po i kërkon me këmbëngulje NATO-s që të mos zgjerohet në Evropën Lindore dhe t’i premtojë asaj se nuk do ta përfshijë Ukrainën në aleancë.
Megjithatë NATO nuk heq dorë nga politika e “dyerve të hapura”, që do të thotë se çdo vend që plotëson kriteret mund të bëhet anëtar i ri.
Shtetet e Bashkuara dhe NATO kanë hedhur poshtë kërkesat ruse të sigurisë në një përgjigje me shkrim dërguar Kremlinit javën e kaluar nga ambasadori amerikan në Rusi.
Ndërsa konflikti aktual midis Rusisë dhe Perëndimit buron nga akuza të ndryshme nga të dyja palët, argumenti për tradhtinë nga Perëndimi është theksuar në retorikën e Moskës prej dekadash, shkruan France 24.
Marrëveshja midis Baker dhe Gorbaçovit
Në një fjalim në Konferencën e Sigurisë së Mynihut në vitin 2007, presidenti rus Vladimir Putin akuzoi fuqitë perëndimore për shkelje të një premtimi nga fillimi i viteve 1990 duke zgjeruar NATO-n në shtetet baltike tre vjet më parë.
“Çfarë ndodhi me garancitë e partnerëve tanë perëndimorë pas shpërbërjes së Traktatit të Varshavës?”, pyeti ai.
Pas rënies së Bashkimit Sovjetik, NATO nuk pushoi së pranuari anëtarë të rinj.
Në vitin 1990, ajo kishte 17 anëtarë, ndërsa sot ka 30, duke përfshirë disa që dikur ishin pjesë e Traktatit të Varshavës, të udhëhequr nga BRSS.
Për të kuptuar pse Moska po flet për tradhti, duhet të kujtojmë marrëveshjen midis Sekretarit të Shtetit të SHBA-së James A. Baker dhe ish-udhëheqësit sovjetik Mikhail Gorbachev gjatë takimit të tyre më 9 shkurt 1990.
Duke diskutuar për statusin e Gjermanisë së bashkuar, dyshja e përmendur ranë dakord që NATO nuk do të zgjerohet në territorin e Gjermanisë Lindore dhe të njëjtin premtim e përsëriti Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s më 17 maj të po atij viti në Bruksel.
Ndërsa Bashkimi Sovjetik ekzistonte…
Rusia dhe vendet perëndimore arritën të lidhnin një marrëveshje në shtator të vitit 1990 që i lejonte NATO-s të poziciononte trupat e saj pas Perdes së Hekurt.
Megjithatë, kjo marrëveshje zbatohej vetëm për një Gjermani të bashkuar.
Zgjerime të mëtejshme në lindje të Kontinentit të Vjetër më pas dukeshin të paimagjinueshme.
“Bashkimi Sovjetik ekzistonte ende dhe vendet e Europës Lindore ishin ende të përfshira në strukturat sovjetike si Traktati i Varshavës, i cili u shpërbë zyrtarisht në korrik 1991”, tha Amelie Zima, doktorante e shkencave politike në Qendrën për Marrëdhënie Ndërkombëtare.
“Nuk mund të flasim për tradhti, sepse ende nuk ka ndodhur një sërë ngjarjesh që do të ndryshojnë marrëdhëniet e pushtetit në Evropë”, shtoi ajo.
Me pak fjalë, kur aleatët perëndimorë ofruan “garancitë” për të cilat fliste Putini, askush nuk mund të parashikonte rënien e BRSS dhe ndryshimet historike që do të pasonin.
Premtim verbal, pa marrëveshje
“Përveç kësaj, është një premtim verbal, i cili nuk është i shkruar në marrëveshje,” kujton Oliver Kempf, një bashkëpunëtor kërkimor në Fondacionin për Kërkime Strategjike.
Pika e kthesës në politikën e zgjerimit të NATO-s erdhi shumë më vonë, në vitin 1995, me kërkesë të vendeve të Evropës Lindore.
Në të njëjtin vit, NATO botoi një studim mbi zgjerimin, përpara se të fillonte bisedimet e anëtarësimit me Hungarinë, Poloninë dhe Republikën Çeke dy vjet më vonë.
Vendet iu bashkuan Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut në 1999.
Përfshirja e tre anëtarëve të rinj ka shkaktuar mosmarrëveshje brenda paktit të NATO-s, gjë që është në kundërshtim me mitin rus të tradhtisë ndaj Perëndimit.
“Edhe brenda administratës amerikane ka pasur mendime se NATO nuk duhet të zgjerohet, sepse mund të bëhet një barrë e madhe financiare dhe në të njëjtën kohë do të humbiste efikasitetin”, tha Zima.
Çështja e zgjerimit të NATO-s ka ngritur tensione prej vitesh midis Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të saj, nga njëra anë, dhe Rusisë, nga ana tjetër.
Mburoja raketore në Rumani dhe Poloni
Pasi Gjeorgjia shprehu ambiciet e saj për NATO-n dhe Bashkimin Evropian në gusht 2008, Moska menjëherë mbështeti separatistët pro-rusë në republikat e vetëshpallura autonome të Osetisë së Jugut dhe Abkhazisë.
Rusët ndoqën me shumë kujdes instalimin e një mburoje raketore në Rumani gjashtë vjet më parë.
NATO ka një bazë të ngjashme në Poloni.
Të dy vendet janë tani anëtarë të Aleancës së Atlantikut të Veriut.
Qeveritë e vendeve perëndimore thonë se Rusia nuk ka arsye për t’u shqetësuar dhe vazhdimisht theksojnë karakterin mbrojtës të NATO-s.
“Rusët e kanë të vështirë të pranojnë zgjerimin e NATO-s, por harrojnë se në vitin 1997 ata nënshkruan një dokument që zotonte të dyja palët të ruajnë paqen dhe sigurinë në zonën euro-atlantike dhe të garantojnë integritetin territorial për të gjithë anëtarët e Këshillit të Partneritetit Euro-Atlantik”, tha Zima.
Derisa mosmarrëveshja e Krimesë të zgjidhet…
Një çerek shekulli më vonë, hyrja e mundshme e Ukrainës në NATO është një “vijë e kuqe” për Rusinë që nuk duhet të kalohet, siç dëshmohet nga retorika e Moskës në kontekstin e krizës ukrainase.
Ish-“hambari i Bashkimit Sovjetik” aktualisht ka statusin e “vendit partner” me NATO-n.
Por Kievi ka një rrugë të gjatë për të bërë përpara se të përmbushë kriteret për anëtarësim të plotë.
“Një nga rregullat kryesore të NATO-s është që vendet anëtare duhet t’i kenë të zgjidhura të gjitha çështjet kufitare, në mënyrë që aleatët të mos përballen me një krizë të re. Derisa të zgjidhet mosmarrëveshja me Rusinë për Krimenë, nuk ka gjasa që Ukraina të anëtarësohet në NATO”, tha Kempf.