Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, pas mbledhjes së qeverisë foli edhe për rritjen e çmimit të karburanteve. Ajo tha se pritet që çmimet të reduktohen pas 6 muajve të parë të këtij viti, ndërsa përcaktimi i çmimit të naftës bazohet tek bursa, ndaj vijojnë monitorimin e vazhdueshëm të luhatjes së çmimeve.
“Rritjet e çmimit të naftës dhe të gjithë nënprodukteve të energjisë kanë qënë subjekt i rritjeve prej muajsh tashmë, jo vetëm në Shqipëri por në të gjithë vendet e rajonit dhe Europës. Janë në të ndikuara sigurisht nga rritja e çmimeve në bursat ndërkombëtare dhe ne jemi në monitorim të këtyre çmimeve me qëllim që të bëjmë të gjithë analizat e mundshme dhe të parashikojmë të gjithë ndërhyrjet që mund të bëhem.
Megjithatë, unë dua të them që ne operojmë në një ekonomi tregu të lirë dhe nuk mund të ndërhymë në çmime. Mund të ndërmarrim politika të tjera mbrojtëse. Sipas gjithë parashikimeve të ekspertëve ndërkombëtarë, por edhe të institucioneve që merren me parashikime të çmimeve të energjisë, pritet që këto çmime të reduktohen pas 6-mujorit të parë të këtij viti. Rritja e çmimeve do të jetë kalimtare dhe jo e qëndrueshme. Me të gjitha gjasat, nuk do të ketë nevojë për ndërhyrje në politika megjithatë ne jemi të kujdesshëm dhe në monitorim të vazhdueshëm të këtyre çmimeve”, deklaroi ministrja.