Monedha e përbashkët ka shënuar një rënie të fortë gjatë ditës së sotme në tregun e brendshëm, duke zbritur afër 133 lekëve.
Sipas të dhënave zyrtare të Bankës së Shqipërisë, një euro u këmbye sot me 133.06 lekë, duke rënë me 0.14 lekë në raport me një ditë më parë.
Ky është niveli më i ulët i euros, i arritur gjatë këtij viti në tregun e brendshëm.
E fortë ka qenë dhe tkurrja e dollarit, i cili ra me 0.31 lekë, për të arritur në 108.5 lekë.
Faktori i parë që ka ndikuar në rënien e euros lidhet me nënçmimin e tij në bursat ndërkombëtare, ku monedha e përbashkët ka zbritur nga niveli i lartë prej 1.25 lekë, ku arriti dy ditë më parë.
Dobësia e euros lidhet edhe me faktorë të tregut të brendshëm. Aktorët e tregut pohojnë se dy janë arsyet kryesore. Së pari, oferta për euro vijon të jetë e lartë. Ndërtuesit kanë raportuar një gjallërim të kërkesës për apartamente javët e fundit, e shoqëruar dhe me rritje të çmimeve të tyre, teksa ato po shiten në euro, duke furnizuar ekonominë me monedhën e përbashkët.
Së dyti, kërkesa për euro mbetet e dobët. Një vit më parë ishte kërkesa e lartë nga kompanitë e huaja që transferuan fitime në janar, që e çoi euron në nivelet e 137 lekëve, ndërsa këtë vit ky efekt ka munguar.
Euro e dobët është pozitive për të gjithë ata që kanë këstet e kredisë në monedhën e përbashkët dhe importuesit. Ndërsa të dëmtuar janë eksportuesit dhe ata që kanë pagat në euro.