Ministria e Arsimit ka urdhëruar mbylljen e kopshtit privat “Flatrat e Dijes” ku disa javë më parë në Fier gjeti vdekjen në fëmijë 3 vjeç.
Rasti në fjalë tronditi mbarë opinionin publik. Grupi i punës për inspektimin e këtij kopshti ka gjetur këto shkelje:
“Nuk ka drejtues Didaktik.
Ka regjistruar fëmijë të moshës nën 3 vjeç, në kundërshtim me ligjin.
Personeli mësimdhënës nuk plotëson kriteret e parashikuara në ligjin 69/2012 neni 57.
Nuk plotëson standardet infrastrukturore.
Ka regjistruar dhe pranuar fëmijë mbi numrin e lejuar.
Nuk ka përmbushur detyrimet në lidhje me dokumentacionin e nevojshëm, duke përfshirë edhe kontratat me prindërit”.
Për të gjitha këto arsye, që Ministria e Arsimit i zbuloi vetëm pas vdekjes tragjike të 3-vjeçarit në këtë kopsht privat është vendosur heqja e licencës së tij.
I mituri ndërroi jetë thuajse një muaj më parë dhe sipas dëshmisë së edukatores së kopshtit, ai ishte mbytur teksa përpiqej të merrte xhupin e vet te varëset e kopshtit.
Prindërit e të miturit e rrëzojnë këtë pretendim, duke deklaruar se varëset e xhupave janë shumë poshtë dhe nuk mund të mbajnë pesha të mëdha.