Gazetari Artan Hoxha në fund të dhjetorit deklaroi se një grup kriminal me disa shqiptarë është goditur nga autoritetet në Ukrainë. Sipas tij gjatë këtij aksioni u kap kokainë me vlerë 10 milionë euro e blerë në Spanjë.
Hoxha ditën e sotme u shpreh se një shqiptar që është anëtar i këtij grupi është shumë i njohur për autoritetet, pasi disa vite më parë ka marrë peng ish-krye-financierin e Silvio Berlusconit. Gazetari zbuloi edhe emrin e shqiptarit i cili kërcënoi Berlusconin, ai është Laurenc Tanko nga Mallakastra.
“Shqiptarët janë licencuar nga Ndragheta për të bërë transportin e kokainës. Dhe në rastin konkret, personi që është kapur, është nga Mallakastra me mbiemrin Tanko, kanë qenë dy vëllezër në Itali.
Në 2012 u bënë publikë pasi me katër të tjerë morën peng krye-financierin e Berlusconit. Njoftuan Berlusconin që do ta lironin po të paguante 35 milionë euro dhe pretendonin se kishin materiale komprometuese për ish-kryeministrin. Por në krye të 9 orëve pengmarrësit u tërhoqën. Mes këtij grupi ishin edhe dy vëllezërit Tanko. Laurenc Tanko e ka emrin, por duhet të jetë një emër i ndryshuar. Me këtë pasaportë, ai është 49 vjeç dhe u kap në portin e Odesës në Ukrainë.
Po prisnin një ngarkesë nga Amerika Latine me vlerë 10 mln euro. Në fillim u hap 100 kg kokainë në fillim në 9 gusht të vitit të kaluar. Gjatë operacionit, të tjerët u larguan, turku u largua në rrugë tokësore me makinë nga Ukraina, edhe tjetri, rumuni dhe një tjetër që ka vetëm emrin “Spartak”, dyshohet shqiptar por nuk është kapur. Tanko është në hetim. Mbahet në burg për trafik”, deklaroi Hoxha.