Akullnaja e formuar në majën më të lartë të botës, malin Everest, humbet çdo vit akull për shkak të ndryshimeve klimatike të shkaktuara nga dora e njeriut. Ky është rezultati i një studimi të fundit të publikuar në “Nature Portfolio Journal Climate and Atmospheric Science”, në SHBA.
Sipas studimit, akulli i cili është formuar përgjatë 2000 viteve është shkrirë për rreth 25 vite, me një shpejtësi 80 herë më të madhe sesa është formuar. Zbulimi shërben si paralajmërim për pasojat që mund të sjellë ky ndryshim në jetën e gati 1,6 miliardë njerëzve që jetojnë përreth Himalajave.
Studimi u realizua nga një grup shkencëtarësh dhe alpinistësh nga Universiteti i Maine, SHBA, të cilët e vizituan akullnajën në vitin 2019 dhe morën kampionë nga copa akulli 10 metra të larta. Ata gjithashtu instaluan aty dy stacione meteorologjike për të mbledhur të dhëna. Sipas tyre, në çerek shekulli, akullnaja ka humbur rreth 55 metra. Ata thonë se shkrirja mund të ketë filluar që në vitet 1950, por pas viteve 1990, shpejtësia është rritur ndjeshëm.