Katër bashkëpunëtorë të ngushtë të kryeministrit britanik, Boris Johnson, dhanë dorëheqjen të enjten, në vazhdën e të ashtuquajturit skandali “partygate” në Downing Street.
Qeveria bëri të ditur se kishte pranuar dorëheqjen e Martin Reynolds, Sekretar i Përgjithshëm i Boris Johnson, i cili u kishte dërguar e-maile 100 personave për t’i ftuar në një festë në maj të 2020-s, dhe po ashtu të shefit të kabinetit Dan Rosenfield, një vit pasi ishte emëruar në këtë post.
Boris Johnson i falënderoj për kontributin në qeveri, përfshirë për punën e bërë lidhur me pandeminë dhe rimëkëmbjen ekonomike. Do të mbeten në detyrë derisa të emërohen pasuesit e tyre. Njoftimi erdhi një ditë pas dorëheqjes së dy bashkëpunëtorëve të tjerë të Johnson, Munira Mirza, këshilltare politike e Johnson dhe shefi i komunikimit Jack Doyle, i cili gjendej në një prej festave që kanë vënë në vështirësi qeverinë britanike.
Kryeministri britanik Boris Johnson po përballet me dy hetime mbi pretendimet se ai dhe zyra e tij shkelën në mënyrë të përsëritur kufizimet e qeverisë për COVID, duke organizuar festa në ambiente të brendshme dhe të jashtme.
Disa nga pretendimet janë mbështetur me foto, video dhe shkëmbime me e-mail. Të tjerat mbështeten në burime qeveritare.