Saimir Tahiri është dënuar nga Apeli i Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të organizuar.
Nga ana e togave të zeza u vendos që të lihej në fuqi vendimi i shkallës së parë për shpërdorimin e detyrës. Tahiri u dënua me 5 vite burg dhe për shkak të gjykimit të shkurtuar i ulet 1/3 e dënimit. Tashmë ish-ministri do të vendoset në qeli për 3 vite e 4 muaj.
Ish-ministri do ta vuajë dënimin në një burg të sigurisë së zakonshme.
“Vuajtja me dënim fillon nga dita e ekzekutimit dhe të kryhet në një burg të sigurisë së zakonshëm. I lejohet rekurs në Gjykatën e Lartë”, tha gjykatësi.
Gjykata mban në vëmendje shkallën e lartë të trafikut të narkotikëve, duke thënë se provohet tej çdo dyshimi se Tahiri ka përfituar nga Habilajt. Për Jaeld Çelen, në rastin e peshkarexhës “Fatima”, është vërejtur përfshirje e punonjësve të policisë.
Në seancën e së hënës së kaluar, prokurorët e SPAK kërkuan deklarimin fajtor të Tahirit për akuzat që e lidhin atë me trafikun e drogës, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal dhe dënimin e tij me 12 vjet burg. Por, duke qenë se gjykimi është bërë me procedurë të shkurtuar, kërkuan që të ulet edhe 1/3 e dënimit, duke kërkuar një dënim përfundimtar prej 8 vitesh burg.
Sipas prokurorisë, Tahiri dhe i bashkëpandehuri i tij, Jaeld Çela, kanë garantuar grupin e “Habilajve” në trafikun e sasive të mëdha të kanabisit nga Shqipëria në Itali. Por Tahiri pretendonte se nuk qëndron asnjë prej akuzave të ngritura kundër tij, duke thënë se nuk ka pasur asnjë kontakt me anëtarët e grupit të Habilajve.
Gjykata e Shkallës së Parë nuk pranoi ta deklaronte fajtor për këto akuza, por e dënoi për veprën penale të shpërdorimit të detyrës, duke e dënuar me 3 vite e 6 muaj burg, vendim që u konvertua në 3 vite shërbim prove. Vendimi u kundërshtua nga Prokuroria dhe Tahiri.