Aktualitet Si u fundos Saimir Tahiri, i dyti ish-ministër i Ramës që shkon...

Si u fundos Saimir Tahiri, i dyti ish-ministër i Ramës që shkon në burg

Saimir Tahiri është i dyti ish-ministër i një qeverie të drejtuar nga kryeministri Edi Rama që shkon në burg, pas Lefter Kokës.

Gjykata e Posaçme e Apelit e dënoi Tahirin me 3 vjet e 4 muaj burg.

Saimir Tahiri u zgjodh deputet për herë të parë në vitin 2009, por zgjedhjet u humbën nga PS. Pas fitores së zgjedhjeve në vitin 2013, Tahiri u emërua ministër i brendshëm në qeverinë e koalicionit PS-LSI.

Ai është deri më sot ministri më jetëgjatë në postin e punëve të brendshme në demokracinë 30-vjeçare të Shqipërisë.

Tahiri arriti të hynte në zyrën ovale të Shtëpisë së Bardhë kur Kryeministri Rama takoi presidentin Obama. Ai e mbajti këtë detyrë deri më mars të vitit 2017.

Mbushja e vendit me kanabis në vitin 2016 tronditi besimin e publikut dhe zërat se partnerët ndërkombëtarë kërkonin largimin e tij u shtuan.

Pas protestës së opozitës në bulevard, kryeministri Edi Rama, 3 muaj para zgjedhjeve të 2017 vendosi ta shkarkonte.

Në zgjedhjet e 2017, Tahiri udhëhoqi fushatën në Tiranë si kryetar i Partisë Socialiste të Tiranës. Në tetor të atij viti, emri i tij u lakua nga disa trafikantë kushërinj të tij në përgjimet e policisë italiane.

Me publikimin e këtyre përgjimeve Prokuroria krijoi bindjen se ai kishte favorizuar trafikun e kanabisit.

Me këtë pretendim, Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkoi arrestimin, por parlamenti me shumicë socialiste e pengoi duke e shpëtuar nga qelia.

Me procesin hetimor që po vazhdonte, Saimir Tahiri vendosi që më 3 maj te vitit 2018 të hiqte dorë nga mandati i deputetit për t’u përballur me drejtësinë si njeri i lirë.

Në 27 shkurt 2019, pas më shumë se dy vite hetimesh, ish-ministri Tahiri merret si i pandehur nga Prokuroria e Krimeve të Rënda.

Prokuroria kërkoi 12 vjet burg për ish-ministrin me akuzat e korrupsionit, trafik të lëndëve narkotike dhe grup i strukturuar kriminal.

Në 19 shtator 2019 Gjykata për Krime të Rënda rrëzoi akuzat ndaj Tahirit, duke e dënuar me 5 vite burg vetëm për shpërdorim detyre.

Me gjykim të shkurtuar dënimi u ul në 3.4 vite burgim, dënim të cilin gjykata vendosi ta konvertojë në 3 vite shërbim prove periudhë gjatë të cilës ish-ministri nuk duhet të kryente asnjë vepër penale.

Prokuroria apeloi vendimin e Gjykatës për Krime të Rënda.

Në 26 qershor 2020, Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsion dhe Krim të Organizuar vendosi të kthejë për rigjykim çështjen ndaj ish-ministrit Saimir Tahiri.

Në 29 shtator 2020 ish-ministri Tahiri bëri rekurs në Gjykatën e Lartë kundër vendimit të Gjykatës së Apelit që vendosi gjykimin nga e para për të.

Në 28 shtator 2021 Gjykata e Lartë pranoi kërkesën e Tahirit për rikthimin e çështjes së tij në Gjykatën e Posaçme të Apelit me një trup të re gjykuese.

Në 4 shkurt 2022, Gjykatën e Posaçme të Apelit la në fuqi vendimin e Shkallës së Parë të vitit 2019, duke hequr shërbimin e provës.

Përfundimisht ish-ministri u dënua me 5 vjet burg për shpërdorim detyre, nga të cilat do të kryejë 3 vjet e 4 muaj burg.