Anëtarët e grupit fetar hebre “Lev Tahor”, të cilët po qëndronin në komunën e Ilidza Lindore pranë Sarajevës, u larguan nga Bosnja më 3 shkurt dhe shkuan në Mal të Zi.
Njoftimi është bërë nga Shërbimi për Çështjet e të huajve që saktëson se bëhet fjalë për shtetas amerikanë, kanadezë dhe të Guatemalës. Veshjet dhe sjelljet e tyre nxitën një debat publik vitin e kaluar, me shumë boshnjakë që i konsideronin ata si “hebrenj talebanë”.
Autoritetet e Bosnje-Hercegovinës thanë se këta persona u larguan nga vendi përpara skadimit të afatit të qëndrimit pa viza, duke respektuar dispozitat ligjore. 37 nga 300 pjesëtarët e grupit “Lev Tahor” në të gjithë botën, besohet se mbërritën në Sarajevë në nëntor të vitit të kaluar.
“Lev Tahor” është një grup konservator hebrenjsh. Aktualisht ka rreth 300 anëtarë dhe fjalë për fjalë do të thotë – “zemër e pastër” – nga pasazhi biblik: “Krijo në mua një zemër të pastër, o Perëndi, dhe përtëri një frymë të palëkundur brenda meje” (Psalmi 51:10).
Ata kanë rregulla strikte në lidhje me ushqimin dhe lutjet e tyre janë më të gjata dhe më të forta se ato në besimet e tjera hebraike.
Lideri i grupit është Šolmo Helbrans, i lindur në vitin 1962. Ai dhe ndjekësit e tij janë akuzuar vazhdimisht për abuzim ndaj fëmijëve, gjë që shpesh ndryshon vendbanimin e tyre.
Në faqen e internetit të Departamentit Amerikan të Drejtësisë, në nëntor 2021, u njoftua se drejtuesit kryesorë të Lev Tahor, Nahman Helbrans dhe Mayer Rosner, u dënuan për planin për të rrëmbyer një vajzë 14-vjeçare.
“Lev Tahor” është prej vitesh në kërkim të një shteti që do t’i lejonte zhvillimin e besimit të tyre, të bazuar në interpretimin ultra-ortodoks të Torës.