Pas disa dështimeve për shkak të konfliktit të interesit të gjyqtarëve të Apelit të Gjykatës se Posaçme, Këshilli i Lartë Gjyqësor komandoi një trupë me dy gjyqtarë nga gjykatat e Apelit në rrethe dhe një nga apeli i Gjykatës së Posaçme, për dhënien e vendimit për ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri.
Kryesuesi i trupës gjykuese që vendosi 3 vite e 4 muaj burg për Tahirin ishte Engert Pëllumbi.
I emëruar nga 2011 në Gjykatën e Fierit, Pëllumbi është komanduar këshilltar ligjor në Gjykatën e Lartë në periudhën 2017-2020. Prej nëntorit 2020 ushtron funksionin si i komanduar në apelin e Vlorës.
Gjyqtari Engert Pëllumbi e ka kaluar me sukses vettingun. Ai është angazhuar në jetën akademike në Universitetin Aleksandër Xhuvani ne Elbasan.
Gjyqtari Engert Pëllumbi, në vitin 2011, gjobiti për shpifje deputeten e Partisë Socialiste Ermonela Felaj, për një deklaratë të saj ndaj një kompanie.
Florjan Kalaja është gjyqtari tjetër në 3-shen që dënoi Tahirin. Ai ka përfunduar studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2011 dhe është emëruar në të njëjtin vit në Gjykatën e Vlorës. Në vitet 2016-2019, ai ka punuar si ndihmës-magjistrat në Gjykatën e Lartë, ndërsa aktualisht e ushtron funksionin si gjyqtar i deleguar pranë Gjykatës së Apelit Durrës.
Është konfirmuar në detyrë nga vettingu në dhjetor 2020. Paralelisht me punën si gjyqtar, Kalaja është angazhuar si pedagog në disa universitete si dhe është autor i botimeve në fushën e së drejtës civile.
Pjesë e trupës ishte dhe gjyqtarja Igerta Hysi. Ajo ka përfunduar Shkollën e Magjistraturës në vitin 2010 dhe pas kryerjes së stazhit në Gjykatën e Tiranës, u emërua në vitin 2011 në Gjykatën e Fierit. Në dhjetor te vitit te shkuar Igerta Hysi është emëruar nga KLGJ gjyqtare ne Gjykatën e posaçme të Apelit për korrupsionin dhe krimin e organizuar.
Gjyqtarja e ka kaluar vettingun. Ka qenë një proces jo dhe aq i shpejtë pasi Komisioni i pavarur i Kualifikimit verifikoi dy vendime të marra nga gjyqtarja Igerta Hysi, që kishin sjellë lirimin e Arben Isufajt, i njohur ndryshe si “Ben Qimja”, i arrestuar në vitin 2014 për qëllime ekstradimi dhe i kërkuar asokohe nga drejtësia italiane. Në përfundim të procesit ka rezultuar se vendimi i Hysit është gjetur i drejtë.