Cigare pa ndalim, me duart e kryqëzuara dhe tikun e këmbëve që i dridheshin dhe që i tundte në dysheme, për Saimir Tahirin, çastet përpara vendimit ishin më të vështirat
Saimir Tahiri kaloi orë të zgjatura pritjeje përpara vendimit dhe ankthi i tij ishte shumë i lexueshëm. Herë pas herë pinte duhan. Ai kreu ecejake nga salla e gjykatës së apelit në holl e disa herë duke porositur ujë nga makineta apo edhe kafe. Përtej batutave të vazhdueshme me gazetarët gjatë këtyre pesë viteve sa zgjati procesi, ditën e vendimit Saimir Tahiri nuk pati asnjë deklaratë apo thënie të tipit të tij. Me duart e kryqëzuara dhe tikun e këmbëve që i dridheshin dhe që i tundte në dysheme, për Saimir Tahirin, çastet përpara vendimit mund të kenë qenë më të vështirat dhe megjithëse u mundua t’i administronte, gjuha e trupit e la në baltë.
Gazetarja Klodiana Lala ka treguar prapaskenat në lidhje me seancën maratonë nga gjyqi i ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.
E ftuar në rubrikën ‘Opinion’ në ‘News24’ Lala tregoi orët e ankthit dhe pritjen e gjatë të ish-ministrit në ambientet e gjykatës dhe se si e priti ai lajmin.
“Ka qenë një ditë e gjatë dhe e tensionuar, pasi Apeli i GJKKO kishte përcaktuar orën 13:00 për të shpallur vendimin për Tahirin. Zoti Tahiri mbërriti në gjykatën e Apelit në 12:30 minuta, i shoqëruar nga avokati. Jashtë e prisnin njerëz të tij të afërt. Pasi kreu procedurat e kontrollit, hymë bashkë me të në orën 12:45 minuta. S’ka pasur asnjë shkëmbim bisede të Tahirit me avokatin. Ai ishte i tensionuar. E shprehte. Kuptohej që kishte ankth.
Dikur rreth orës 14:10 minuta, një nga përfaqësuesit e Gjykatës na është lutur që të linim ambientet e Apelit të GJKKO. Zoti Tahiri pinte cigare, lëvizte në hollin e gjykatës. Mbante distancë nga mediat. Disa herë i sollën ujë, paketa me cigare. Kur shkuan rreth 4 orë pritje, filloi të shprehte shqetësim.
Fliste me zotin Haxhiaj, e pyeste. Disa gazetarë i pyeti; si e shpjegoni ju këtë?! Më pas u lejuam që të hynim brenda dhe seanca të ishte publike. Të ishin dhe kamerat. Por kryesuesi i bëri pyetjen për zotin Tahiri dhe zotin Çela, dhe ish-ministri tha se nuk kishte problem.
Kur u dha vendimi pati tronditje. Kur u kthye nga kamerat, se ne ishim live, shtrëngonte duart, ishte i prerë në fytyrë. Më pas e mblodhi veten dhe u kthye nga mediat. Ishte zoti Tahiri ai që i jepte kurajo zotit Haxhiaj. Zoti Haxhiaj e shpjegoi dhe jashtë. Se priste një vendim të tillë. Por tashmë ka një fakt që zoti Tahiri është dënuar me 3 vite e 4 muaj burg”, pohoi Lala.
Duke u ndalur te trupa gjykuese, Lala tha se: “Engert Pëllumbi ka kaluar vettingun, nuk i është gjetur asnjë gjë e dyshimtë në karrierën e tij. Në 2020-ën u caktua në Apelin e Vlorës. Më pas u caktua në Apelin e Posaçëm vetëm për rastin Tahiri. Ishte kandidat potencial për të kaluar në këtë çështje, pasi kishte kaluar vettingun.”
Mes të tjerash Lala tregoi se pasi Tahirit iu vendosën prangat, ai u dërgua në ambientet e Policisë së Tiranës dhe më pas në burgun 313, ku u la i vetëm në qeli. Ajo tha se nata e parë në qeli për Tahirin ka qenë e qetë, ndërsa shtoi se ai nuk kishte kërkuar asgjë, përveçse i kishin çuar cigare dhe disa veshje.