Bota Rusia shton trupat në kufi, në rast pushtimi rrezikohen 50 mijë civilë...

Rusia shton trupat në kufi, në rast pushtimi rrezikohen 50 mijë civilë 23 mijë ushtarë ukrainas

Administrata Biden ka informuar parlamentarët amerikanë dhe partnerët evropianë ditët e fundit, se Rusia ka grumbulluar 70% të forcave të nevojshme për një pushtim të plotë të Ukrainës, i cili mund të shkaktojë deri në 50,000 vdekje civile dhe 23,000 ushtarë ukrainas.

Në një skenar të tillë, Kievi do të kapitullonte brenda dy ditësh, me një krizë humanitare me deri në 5 milionë refugjatë në Evropë.

Kështu shkruan gazeta amerikane “New York Times”, e cila pohon se inteligjenca amerikane nuk mendon se Putini e ka marrë ende vendimin përfundimtar.

Shërbimet sekrete të SHBA-ve, besojnë se Kremlini, në rast sulmi, nuk do të lëvizë deri në gjysmën e dytë të shkurtit, kur toka e ngrirë do të lehtësonte kalimin e automjeteve të rënda dhe Lojërat Olimpike Dimërore të Pekinit do të kenë përfunduar pothuajse, duke shmangur kështu antagonizimin e presidentit kinez Xi Jinping, i cili mbetet një aleat i domosdoshëm. Ndërkohë, Moska ka shtuar trupat e saj.

Sipas “Washington Post”, i cili raporton të njëjtin lajm, janë vendosur 83 grupe batalionesh taktike, me rreth 750 ushtarë secili, nga 60 të tillë që ishin dy javë më parë.

Trupat mbështeten nga dhjetëra mijëra njerëz për logjistikë, mbështetje ajrore dhe mbështetje mjekësore.

Deri më tani, SHBA-të e kanë vlerësuar praninë ushtarake ruse në kufirin me Ukrainën në 100,000 njerëz, ndërsa inteligjenca perëndimore në 130,000.

Dy zyrtarë amerikanë i thanë agjencisë së lajmeve “Reuters” se kushtet e motit do të favorizojnë Rusinë që të lëvizë pajisje ushtarake nga 15 shkurti deri në fund të marsit.

Sipas tyre, për shkak të temperaturave të ulëta, toka pritet të ngrijë e të ngurtësohet, duke i mundësuar Moskës lëvizjen e shumë pajisjeve të rënda. Kriza mes Moskës dhe Kremlinit vjen gati 8 vjet pasi Rusia aneksoi nga Ukraina gadishullin e Krimesë.