Sport Një profil për portierin e talentuar, Jorgo Ferro

Një profil për portierin e talentuar, Jorgo Ferro

Jorgo Ferro

Nga Edmond Ismailati

Qyteti i Memaliajit, është shquar për talentet e sjell në futboll, ku bëjnë pjesë edhe portierët. Një prej tyre, i cili ka dalë nga shkollat e futbollit të këtij qytetit, është edhe portieri, Jorgo Ferro.

Jorgua, u lind në Memaliaj, më 25 gusht të vitit 1969, me prindër, Frosina dhe Vasil Ferro. Prindërit e tij janë me origjinë nga Dropulli i Gjirokastrës, të cilët kanë dhënë kontributin e tyre, që në fillimet e ndërtimit të këtij qyteti. Mamaja e tij, Frozina ka punuar si edukatore dhe ka edukuar me dhjetëra breza memaliotësh, ndërsa babai i tij, Vasil Ferro, është një ndër shoferët e parë në Memaliaj.

Gjyshi i Jorgos, i cili quhet Dhimo Ferro ose siç i flisnin ndryshe, barba Dhimua, është shoferi i parë me autobusë në rrethin e Tepelenës dhe ka punuar përgjatë viteve 1847-1968, deri sa doli ë pension. Ai bënte linjat: Tepelenë, Memaliaj, Vlorë, Tiranë, Përmet, Gjirokastër, Korçë, …etj. Ndërsa gjyshi tij nga ana mamasë, Koço Rajdho, është një ndër mjeshtrat e parë dhe novatorë të minierës së qymyrgurit të Memaliajt. Jorgua ka edhe një vëlla më të vogël se vetja dhe quhet Redi, i cili nuk ka luajtur futboll.

Arsimin fillor dhe atë tetëvjeçar, e kreu në vendlindje. Në vitin 1979-ë, kur Jorgua do të fillonte klasën e pestë të tetëvjeçares, ai përzgjidhet nga specialistët e futbollit, për t’iu bashkuar klasës sportive, ku ai do të stërvitej deri në klasën e tetë, për të mbrojtur portën e këtij ekipi.

Shkollën e mesme, të mjeshtërisë sportive, “Loro Boriçi”, e kreu Tiranë. Institutin e Lartê të Kulturës Fizike (ILKF), “Vojo Kushi”, e kreu po në kryeqytet.

Futbollisti, Jorgo Ferro ka luajtur portier me ekipin “Studenti”, kur ishte në shkollë të mesme të mjeshtërisë. Luajti për katër vjet rresht me ekipin e “Shkëndisë”, kur vazhdonte studimet e larta sportive. U aktivizua me ekipin “Minatori”, për një vit në sezonin e viteve 1987-88, me trajner Skënder Ibrahimin.

Jorgu u përzgjodh për të mbrojtur edhe portën e kombëtares të të rinjve dhe ka luajtur në Kampionatin Ballkanik, që u zhvillua në vitet, 1985-86, në Pleven të Bullgarisë. Në vitin 1987 ka luajtur në ndeshjet miqësore që u zhvilluan kundra përfaqësuesve të të rinjve të Greqisë dhe Gjermanisë Perëndimore.

Futbollisti, Jorgo Ferro ka qenë një ndër futbollistët e talentuar ku krenoheshin, jo vetëm memeliotët, por gjithë tepelenasit.

Ai ka shumë vite që punon dhe jeton së bashku me familjen e tij, në Athinë.

E kujtojmë me nostalgji, kohën kur ai luante futboll dhe padyshim, që bashkëqytetarët dhe sportdashësit, i urojnë të gëzojë gjithë të mirat, së bashku me familjen e tij!

Edmond Ismailati

Shkurt 2022