Aktualitet Avokati Maks Haxhia tregon arsyen pse “Tahiri u bë kokë turku”: Do...

Avokati Maks Haxhia tregon arsyen pse “Tahiri u bë kokë turku”: Do arrestohen edhe të tjerë

Avokati Maks Haxhia dhe Saimir Tahiri

Saimir Tahiri u dënua për t’i treguar Europës se Shqipëria ka bërë një reformë të denjë në drejtësi dhe i ka plotësuar kushtet për t’u integruar në Bashkimin Evropian.

Këtë pretendoi Maks Haxhia, avokati i ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahir në një intervistë në Euronews Albania.

Sipas avokatit, arrestimi i Tahirit i hap rrugën arrestimit të shumë zyrtarëve e ish-zyrtarëve të tjerë.

“Reforma që trumbetohet sot kërkon koka turku. E para t’i thotë Evropës që futëm ministrin e Brendshëm në burg, do fusim dhe ca të tjerë, që plotësuam kushtin për në BE. Dhe e dyta nëse e bëjnë këtë për Tahirin që është i pafajshëm, të tjerë që kanë hedhur edhe një firmë do shkojnë në burg. Se u vendos kufiri në minimum; kur dënohet ministri i brendshëm të tjerët nuk do ta diskutojnë dënimin me burg”, tha avokati.

Haxhia e cilësoi absurd faktin që një ish-ministër i Brendshëm të jetë në të njëjtin vend vuajtjeje dënimi me të burgosurit e tjerët. Detyra që ka mbajtur sipas tij, i rrezikon jetën Tahirit, ndaj ai duhet të vendoset në një izolim, ‘jo të sigurisë së lartë që të rrijë i mbyllur, por të jetë i shkëputur nga të tjerët’.

Ai tha se do drejtohen Gjykatës së Strasburgut për të pezulluar ekzekutimin e dënimit të dhënë nga Apeli i Posaçëm.

“Hapi i parë është përgatitja e rekursit sapo të zbardhet vendimi që të shohim argumentet, sepse ato argumente që pamë në media janë skandal. Duke qenë përpara faktit që Gjykata e Apelit rëndoi pozitën e të pandehurit ne do t’i drejtohemi Strasburgut, Gjykatës së të Drejtave të Njeriut për të pezulluar ekzekutimin e dënimit”, u shpreh avokati i Tahirit.