Aktualitet Artan Hoxha tregon prapaskenat: Plani për të arrestuar Tahirin në 2016

Artan Hoxha tregon prapaskenat: Plani për të arrestuar Tahirin në 2016

Gazetari Artan Hoxha, ishte i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, ku foli për dënimin me burg të Saimir Tahirit. Sipas tij, ky dënim u bë për të kënaqur interesa politike dhe diplomatike të momentit.

“Të dënosh ministrin e Brendshëm, me atë dosje, është ku thërret qameti. Na intereson të ndëshkojmë fenomenin që i kushtoi shtrenjtë Shqipërisë, sesa të merremi me atë që tha avokati, të kënaqim disa interesa politike dhe diplomatike të momentit”, tha Hoxha.

Hoxha tregoi edhe një rast tjetër në vitin 2016, kur kërkohej arrestimi i Tahirit në flagrancë dhe u tentua duke përdorur ndalimin e gazetarit pas daljes nga një emision televiziv.

“Unë që në momentin kur ka filluar kjo histori, nga nëntori 2017, duke patur parasysh mbi çfarë rrethanash e nisi Prokuroria e Krimeve të Rënda në atë kohë dhe cilët prokurorë e morën përsipër, kam patur qëndrim që Saimir Tahiri do të bëhet kokë turku dhe do të dënohet, sepse pas kësaj historie, në atë kohë kishte dyshime që qëndronin aleatët tanë, SHBA-të.

Qëndrimi që kishte mbajtur ambasadori i SHBA-ve, diskursi që kishin ndjekur, kontaktet që ata kishin mbajtur, kam patur bindjen… Kam folur të nesërmen me zotin Tahiri se e pashë edhe të mërzitur, i kam thënë Saimir do të dënohesh sepse duhet të dënohesh.

Përse e kisha këtë bindje?

Së pari, kjo dosje me të cilën u dënua Tahiri, është një dosje copë-copë.

Për të fundosur Tahirin, që ishte ministri më i fuqishëm, krahu i djathtë i Ramës, njeriu që nuk ishte kollaj të përplaseshe me Tahirin. Ishte njeriu që futi në probleme të mëdha koalicionin atëherë, me ministrat, që po na përgjon Tahiri. Ai u bë problematik edhe me të majtët.

Kujtoj rastin e avionit në Ishëm, 15 shtator 2016. Jam shoqëruar live nga studio e “Opinion”, sepse u synua që të hapeshin telefonat e mi dhe të arrestohej Tahiri në flagrancë.

Unë kam qenë në zyrën e kryeprokurorit për Krime të Rënda, nuk më ishte komunikuar pse isha aty.

Pa më thënë gjë fare, vjen një oficer dhe thotë ndizni televizorin. Shoh që PD ka dalë në konferencë dhe thoshte gazetari është arrestuar sepse Saimir Tahiri, ka dekonspiruar hetimet për avionin në Ishëm.

I them prokurorit, zotëri çfarë thotë ky? Ti nuk më ke thënë akoma se për çfarë më ke marrë. Nga e di ky për çfarë më ke marrë mua?

I kam thënë ja ku i ke telefonat, nuk i hap.

I thashë nuk kemi çfarë sqarojmë, sepse ti sot kërkon të arrestosh Saimir Tahirin. Unë po të them që edhe Flamur Noka po të jetë, ti nuk e arreston dot duke më përdorur mua.

I thashë ke tabulatet. Unë kisha deklaruar publikisht, që piloti që ra në Ishëm, u tha që ka ardhur të marrë 200kg kanabis dhe për të përuruar pistën.

Për fat e kisha informacionin pasdite, kisha folur edhe me njerëz të opozitës, punonjës të policisë.

Çfarë ndodhi?

Ata ishin të bindur që do hapnin telefonat dhe do të arrestohej Tahiri. Synohej arrestimi në flagrancë. Këtë informacion që unë e publikova, e kisha marrë se piloti kishte dëshmuar para një përkthyesi dhe oficerit të policisë gjyqësore.

Që në atë rast, u pa që u tentua të arrestohej Tahiri.

Vijmë te 2017, nëse kujtoni, Tahiri u tha se u dorehoq. Ai nuk dha dorëheqjen, por u detyrua Rama të heqë edhe tre ministra të tjerë, që të mos iktë Saimir vetëm.

Pra ka ikur Beqja, Klosi dhe Çuçi, për ta justifikuar largimi i Tahirit.

Në fushatë, Tahiri drejtoi fushatën e Tiranës, mori 18 mandate PS. Në tetor filloi procesi ndaj Tahirit”, tha Hoxha.