Bota “Pandemia siç e njohim ne ka mbaruar”, Suedia heq të gjitha kufizimet

“Pandemia siç e njohim ne ka mbaruar”, Suedia heq të gjitha kufizimet

Suedia hoqi pothuajse të gjitha kufizimet e mbetura të pandemisë dhe ndaloi shumicën e testimeve për COVID-19, pavarësisht paralajmërimeve të disa shkencëtarëve.

Qeveria e Suedisë, e cila gjatë gjithë pandemisë ka pasur një qasje tjetër nga ajo e pjesës më të madhe të vendeve të botës, njoftoi javën e kaluar se do të hiqte kufizimet e mbetura – duke e shpallur në mënyrë efektive pandeminë të përfunduar – pasi vaksinat dhe varianti më pak i rëndë Omicron kanë zbutur rastet e rënda dhe kanë ulur numrin e vdekjeve.

“Pandemia siç e njohim ne ka mbaruar”, tha ministrja e Shëndetësisë Lena Hallengren për Dagens Nyheter. “Ky nuk është plotësisht fundi, por siç e njohim ne për sa i përket ndryshimeve dhe kufizimeve të shpejta ajo ka mbaruar”, tha Hallengren, duke shtuar se COVID nuk do të klasifikohet më si rrezik për shoqërinë.

Që nga e mërkura, baret dhe restorantet do të qëndrojnë të hapura pas orës 23:00 dhe pa kufizime në numrin e atyre që hyjnë. Kufiri i të pranishmëve në ambiente më të mëdha të brendshme u hoq, po ashtu edhe përdorimi i pasaportës së vaksinës si dëshmi për të hyrë.